Nevil Dede shkund Tiranën duke ngritur zërin në stërvitje. Duke pranuar me batutë se Tirana ia dhuroi vetë fitoren Vllaznisë, trajneri i sapoemëruar i bardhebluve ka zhvilluar një seancë të gjatë stërvitore ku është punuar vetëm taktikisht në dy drejtime.
Si fillim skuadra duhet të mësonte se si të shkonte te goli, duke i servirur topin repartit të sulmit. Drejtimi i dytë kishte të bënte me fazën mbrojtëse, ku skuadra duhet të mbulonte dhe të dilte me shpejtësi në kundërsulm.
Të gjithë janë qortuar nga Dede, i cili nuk ka falur asnjë gabim të titullarëve. Ndonëse është parë formacioni titullar, trajneri i Tiranës ka alternuar lojtarët që ka pasur në dispozicion, ndonëse një pjesë e tyre ishin te skuadra U21 që luante në Durrës.
ANALIZA – Për 20 minuta rresht, Dede ka analizuar ushtrimet taktike që do të bënin në fushën e lojës. Jo vetëm analizë taktike, por edhe analizë të kundërshtarit bëri Dede.
Larg qëndruan stafet ndihmëse, ndërsa drejtori teknik pa me kujdes punën e trajnerit. Gjatë gjithë kohës Dede skicoi skema të ndryshme në ndihmë të skuadrës. Pas analizës ekipi nisi stërvitjen.
KËRKESAT – Kërkesat e trajnerit kanë qenë shumë të mëdha. Dede ka ngritur zërin në çdo gabim që bënte skuadra. Më i masakruari Sasraku që gaboi pa fund para portës dhe mbrojtja derisa këta të fundit ia dolën të bllokonin kundërshtarin.















