Duke analizuar ndeshjes mes Laçit dhe Vllaznisë, e cila u fitua nga kurbinasit 1-0, trajneri Nevil Dede, u shpreh se kurbinasit u treguan pragmatistë, duke shfrytëzuar Mazrekajn dhe Guindo.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Dede, deklaroi se Vllaznia luajti mirë, por gjetën përballë një portier si Dajsinani, të cilit sipas tij duhet t’i dedikohen 3 pikët, për pritjet e shumta që bëri.

“Laçi-Vllaznia ishte një ndeshje shumë e bukur. Të dyja skuadrat mund ta fitonin ndeshjen. Laçi u tregua pragmatist, duke tentuar të shfrytëzonin Mazrekajn. Laçi në gjykimin tim, në fragmente, është shumë e rrezikshme si skuadër.

Është një ekip, ku treshja e mesfushës, vrapon shumë. Mbrojtësit e krahut nuk i punuan mirë. Megjithatë në fund fare, 3 pikët sot duhet t’ia dedikojnë portierit Dajsinani. Portieri e mbajti në lojë në momente të caktuara.

Vllaznia bëri shumë. Mesfushorët dhe mbrojtësit e krahut bënë shumë mirë. Latifi punoi mirë. Besoj se Aralica mund t’i bënte më shumë dëm Laçit. Ai shfaqet më shumë përpara portës. Da Silva nuk ishte në ditët e tij.”