E ardhmja e mbrojtësit rumun, Dan Ignat është kthyer në një çështje shqetësuese te Vllaznia. 32-vjeçari është gjithmonë e më larg skuadrës shkodrane dhe duket se për momentin nuk ka ndërmend të rikthehet te kuqeblutë.

Edhe pse bëri një paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë të kampionatit duke luajtur në 13 nga 14 takime, Ignat është në dilemë për të vazhduar sërish me Vllazninë.

Rumuni u largua drejt vendlindjes pas ndeshjes së fundit të vitit të kaluar, por edhe pse ekipi ka një javë që ka nisur fazën përgatitore dimërore, Ignat nuk është kthyer në Shqipëri.

I pyetur nga gazeta “Panorama Sport” në lidhje me arsyet përse ende nuk i është bashkuar Vllaznisë dhe nëse ka ndonjë problem, Ignat përgjigjet:

“Do të flas më vonë në lidhje me këtë çështje. Faleminderit!” Duket qartë se me rumunin ka diçka që nuk shkon. I pyetur më pas nëse do të rikthehet më në Shkodër ose jo, rumuni nuk përgjigjet duke lënë mbrapa shumë dyshime. Ignat po mendon seriozisht që të mos vazhdojë më me Vllazninë, ndërsa ka një kontratë me klubin shkodran.