Vllaznia po bën mirë në kampionat dhe kryeson me meritë kampionatin pas javës së 8-të, dhe deri më tani vetëm Dinamo ka arritur ta mundë. Kuptohet që skuadra e drejtuar nga Ilir Daja është një nga rivalët kryesorë të shkodranëve në garën për titullin kampion.
Ndërkohë, Dejvi Bregu, një nga lojtarët më të mirë të dinamovitëve, i cili ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” mbrëmjen e djeshme, duke folur për Vllazninë, është shprehur:
“Duket qartë se te Vllaznia ka entuziazëm. Stafi teknik ndoshta këtë vit ka gjetur edhe atmosferën te ekipi, por mbetet për t’u parë vazhdimësia, sepse kampionati është shumë i gjatë.
Sa për frikë, Dinamo nuk ka frikë as Vllazninë dhe asnjë ekip tjetër. Besoj se as ata nuk na kanë frikë ne, por deri tani fusha ka treguar që ne i kemi mundur.”(www.shkodrasport.com)







