Robert Lewandowski filloi sezonin e tij të dytë te Barcelona. Sulmuesi polak erdhi nga Bayern Munich si yll dhe bëri ashtu siç kishte premtuar. Në vitin e tij të parë si lojtar i Barçës luajti 46 ndeshje, ku shënoi 32 gola dhe dha 8 asiste.
Polaku luajti për herë të parë në La Liga pas 12 sezonesh në Bundesligë. Një kompeticion i ri, me të cilin ai vazhdon të përshtatet dhe me sa duket, ka një element që nuk i pëlqen; veçanërisht arbitrat.
Lewandowski, i cili u përjashtua me një të verdhë të dyfishtë sezonin e kaluar në “El Saddar” dhe u sanksionua me tri ndeshje për një gjest, duke prekur hundën e tij, është një nga lojtarët që faullohet më shumë dhe që e ndërpret lojën e tij më së shumti. Diçka prej të cilës është veçanërisht i bezdisur.
Në një intervistë për gazetarin polak Meczykipl, ai ishte shumë kritik ndaj arbitrave të kampionatit spanjoll: “La Liga nuk është sulmuese (ofensive) apo tërheqëse. Gjyqtarët spanjollë e vrasin kampionatin”. Një deklaratë mjaft e ashpër për gjyqtarët, që tregon pakënaqësinë e tij me mënyrën e “fishkëllimës” në Spanjë./telesport/