Ndeshja e sotme kundër Andorrës do të përcaktojë jo vetëm rrugëtimin e Shqipërisë në Euro 2020, por edhe nëse Edi Reja do të jetë tekniku i ri i kuqezinjve.
Italiani, në një prononcim për mediat italiane, ka konfirmuar se i ka kërkuar kohë FSHF-së deri pas ndeshjes kundër Andorrës pasi nga ajo do të vendosë nëse do të ulet apo jo në stolin e lënë bosh nga Panuçi.
“Dje fola me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, kërkova 24 orë kohë që të vendosja. Gjithçka varet nga ajo që do të bëjë sonte përfaqësuesja kundër Andorrës”, ishin fjalët e trajnerit të mirënjohur italian për “Citaceleste”.
Ai duket se ka vëzhguar mirë situatën në kampin e Shqipërisë e sidomos “luhatjet” e fundit, ku spikat ajo e përjashtimit të Thomas Strakoshës nga i shkarkuari Panuçi.
“Vonesat janë gjëra që ndodhin, unë e pashë si të tepruar dënimin”, ishin fjalët e trajnerit, duke lënë të kuptohet se nëse do të jetë ai në stolin e kuqezinjve, këta të fundit nuk do të përballen me të njëjtën rreptësi absurde të periudhës nën Panuçin. /vipsport/