Eshtë mbyllur pas nëntë sezonesh aventura e kapitenit Erdenis Gurishta te Vllaznia. Tashmë, është vendosur që të ndërpritet këtu bashkëpunimi mes dy palëve, edhe pse dëshira e klubit ishte që të vijonin zbatimin e marrëveshjes.

Ky largim u hap rrugën skuadrave të tjera për të tentuar shërbimet e 28-vjeçarit, i cili nga sa mësojnë burime të “Shkodra Sport” ka pasur bisedime dhe ofertë konkrete nga klubi i CSKA Sofie në Bullgari. Gjasat janë që karriera e tij të vijojë aty, me Gurishtën që është shumë pranë firmës me këtë klub.

“Shkodra Sport” ka mësuar se bisedimet e klubit bullgar janë në një fazë të avancuar me Gurishtën, me CSKA e Sofies që pret vetëm përgjigjen përfundimtare të mbrojtësit 28-vjeçar. Kështu, aktualisht ekipi më i avantazhuar për të siguruar shërbimet e Gurishtës mësohet se është CSKA e Sofies, me vetë futbollistin që ka si dëshirë ta vijojë karrierën jashtë.

Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë dhe zbuluar në ditët në vazhdim. Këtë sezon me Vllazninë, Erdenis Gurishta është aktivizuar në 30-ndeshje, ku ka dhënë edhe dy assist, teksa realisht ish-kapiteni i kuqebluve konsiderohet si një nga mbrojtësit më cilësorë të kampionatit ndër vite.
Maringlen ZHIVANI