Ekipi i Kukësit do të luaj takimin e parë në fazën eliminatore në “Champions League” ndaj Valletës, ndeshje kjo e cila do të luhet në ditën e nesërme.
Tek verilindorët tifozët janë optimistë sa i përket kalimit të turit, pasi përballë tyre është një ekip që rivalizon në kampionat maltez.
Por trajneri i Kukësit, Peter Pakult, e sheh ndryshe nga të tjerët takimin, duke thënë se ekipi i tij nuk është favoritë dhe për këtë mjafton edhe ajo që tregon historia e të dy klubeve.
“E dimë që nuk jemi në 100% të formës, pasi faza përgatitore zgjati dhe ekipi ka pak kohë që njihet. Por jemi gati për ndeshjen kundër Vallettas.
Jemi përballë një kundërshtari që imponon respekt, pasi ka 18 vitet e fundit në Europë, por do të jemi në maksimum të mërkurën për një rezultat pozitiv.
Kualifikimi do të vendoset në Maltë. Nuk e kuptoj pse duhet të jetë Kukësi favorit përballë Vallettas, duke menduar historinë e dy klubeve”, ka thënë Peter Pakult. /vipsport/