Ish-futbollisti i Vllaznisë, Uliks Kotrri mendon se skuadra shkodrane e meritoi fitoren e Kupës së Shqipërisë. Ai mendon se në tërësi skuadra e menaxhoi mirë ndeshjen, duke marrë edhe fitoren.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Kotrri tha se në tërësi këtë sezon, Vllaznia ka zhvilluar lojë të mirë, por në disa ndeshje i ka “munguar fati”. Ish-mesfushori e konsideroi normale luhatjen e rezultateve gjatë sezonit, pasi Vllaznia ka vetëm dy vite që lufton për arritjen e titullit kampion dhe disa gjëra duhet të piqen akoma më shumë.

Kotrri u shpreh se për suksesin e fundit ka meritë të madhë edhe trajneri Mirel Josa, ndërsa theksoi se gabimet e gjyqtarëve kanë ndikuar në lënie të pikëve për Vllazninë këtë sezon.

“Ndeshja me Laçin ishte një ndeshje finale, si çdo finale tjetër, paçka se për Vllazninë ishte më shumë, pasi aty varej pjesëmarrja e Vllaznisë në Kupat e Europës. Një ndeshje që Vllaznia në përgjithësi, e menaxhoi mirë, duke marrë edhe fitoren.

Fitorja ishte më shumë se e merituar, pasi Vllaznia tregoi më shumë dhe gjatë gjithë ndeshjes, bëri më shumë për ta fituar. Për këtë kanë meritë të gjithë pa përjashtim, nga profesor Josa, deri te shoferi i autobusit, gjë që për mua, është shumë e rëndësishme për arritjen e çdo objektivi. Domethënë, harmonia në ekip.

Për mosarritjen e objektivave maksimale, ka shumë faktorë. Një nga këto ishte lënia e pikëve nga pakujdesi të evitueshme apo nga gabime të gjyqtarëve, që nuk kanë qenë pak. Një tjetër gjë që ka ndikuar, ishte forma shumë e mirë këtë vit e Tiranës dhe marrja nga ana e saj e pikëve maksimale.

Nuk duhet të harrojmë që, Vllaznia ka vetëm dy vite që lufton për arritjen e titullit kampion dhe kjo është një tjetër arsye, pasi duhet të pjeken disa gjëra, që të kapësh maksimumin tek një ekip. Kjo ka të bëjnë edhe te zgjedhja e futbollistëve, që është diçka shumë e vështirë, pasi dihet që futbollistët preferojnë njëherë kryeqytetin dhe pastaj Shkodrën. Domethënë që, puna nuk ka qenë e keqe, por ka mundësi që të bëhet më mirë patjetër, si në çdo aspekt tjetër.

Për merkaton e verës them që, tani Vllaznia ka një background të mirë këto vite dhe kjo është shumë pozitive, që të “thithësh” futbollistë, pasi tani Vllaznia mund të shikohet si një vitrinë e mirë për çdo futbollist për të rritur vlerën e vet.

Kupat e Europës janë shumë të rëndësishme nga të gjitha anët për çdo ekip nga ana financiare, pasi dihet që e ardhmja e çdo ekipi shqiptar, është tepër e varuar nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Po ashtu, edhe është një vitrinë për çdo futbollist, siç e thashë më lart. E ardhmja ose vazhdimësia e projekteve të ekipeve shqiptare, varet shumë nga të ardhurat, që marrin këto ekipe nëpër Kupat e Europës”,-mbylli prononcimin e tij, ish-mesfushori i Vllaznisë, Uliks Kotrri.

Ai ka luajtur për Vllazninë në periudhat 1992-1995, 1998-2003 dhe 2006-2008. Mes këtyre periudhave, ka provuar të luajë në Austri, Gjermani, Ukrainë dhe Australi.
Maringlen ZHIVANI