Partizani i trajnerit Ilir Daja mbetet ende në kërkim të formacionit ideal, edhe pse janë luajtur gjashtë javët e para. Edhe ndaj Egnatias pritet që të ketë ndryshime në formacion, kjo mbase edhe nga mungesa dhe gjendja e disa lojtarëve.
Risia mbetet aktivizimi dhe promovimi i lojtarëve me moshë të re, kryesisht i afrikanëve të ardhur në merkaton e verës.
Ndaj Egnatias trajneri Ilir Daja pritet t’i japë besim 18-vjeçarit Maguete, i cili pritet të ketë rolin e organizatorit në fushë, duke qenë një ndihmesë për furnizimin me topa të dyshes sulmuese Cara-Filipoviç, pasi dihet se Zhunior është i pezulluar për këtë sfidë.
Për këtë takim ku kërkohet fitorja e parë në kampionat nga “demat”, sa i përket formacionit, ndryshime priten edhe në mbrojtje. Qendërmbrojtësi i ri, Saliou Sembene, pritet të ulet në stol, me Damçevskin që rikthehet sërish titullar, në krah të Sotës dhe Belicës. Edhe për këtë sfidë trajneri Ilir Daja nuk do të ketë shërbimet e Ergys Kaçes, i cili vijon të jetë i dëmtuar.
Pas dy ditëve pushim, Stenio Zhunior është rikthyer në stërvitje. Sulmuesi brazilian ka bërë vaksinën anti-COVID dhe klubi i dha 48 orë pushim. 30-vjeçari është kthyer sot në fushat e blerta dhe është stërvitur me grupin. Kujtojmë që Zhunior nuk do të jetë i gatshëm për sfidën kundër Egnatias, pasi ka kompletuar numrin e 4 kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar.
Sulmuesi i Partizanit, Lukas Kardozo, kaloi me sukses operacionin e tij në supin e majtë. Braziliani i cili u dëmtua në ndeshjen ndaj Kukësit, iu nënshtrua dy ditë ndërhyrjes kirurgjikale, që ka rezultuar me sukses. Faza e riaftësimit të sulmuesit brazilian do të jetë gati gjashtë javë.
Lajmin e kalimit me sukses të operacionit e ka bërë publike vetë klubi i Partizanit me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare, duke shkruar se gjithçka shkoi mirë për 27- vjeçarin.
Ndërsa vetë braziliani, shkroi: “Tani jam gati për hapin e radhës. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për dashurinë e treguar dhe për mbështetjen.
Mesazhet tuaja më kanë dhënë qetësi në mendjen time e forcë për të vazhduar përpara dhe për t’u rikthyer edhe më i fortë. Zoti do të kujdeset për gjithçka. Një falënderim të madh për gjithë ekipin e Partizanit, për mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj meje dhe familjes sime”.
Në kampin rrogozhinas po e përgatisin në qetësi të plotë përballjen me Partizanin në transfertë. Java stërvitore ka qenë me plot ngarkesa që nga fillimi i saj e deri në ditën e djeshme.
Për të besuarit e trajnerit Gugash Magani kjo përballje ka shumë rëndësi dhe pavarësisht se rrogozhinasit janë edhe me pikë përpara Partizanit, sërish do të jetë fusha ajo që do të tregojë fituesin.
Drejtuesit kanë menduar të mbajnë larg vëmendjes edhe mediat që gjithçka të kalojë pa deklarata të parakohshme.
Aktualisht, shqetësim mbetet vetëm mesfushori ganez Majkëll Agbekpornu që thuajse është jashtë planeve edhe për një periudhë të gjatë.
Por është vërejtur që Teqja, Eller e A.Magani janë përgatitur me pjesën tjetër, ndaj mund të jenë alternativa.
Rrogozhinasit janë debutues, por shanset e deritanishme në transferta kanë rezultuar të mëdha ku nuk kanë dalë pa pikë. Mjafton të kujtohet barazimi me Tiranën e fitorja pak javëve më parë me Laçin vendës. Egnatia do të udhëtojë drejt Tiranës e plotë e për të mos dalë duarbosh.
Të dyja klubet janë ndeshur më parë vetëm në miqësore, kurse zyrtarisht do të luajnë pas shumë vitesh mungesë. Do të ketë dhe ish-ë si Krasniqi, Telushi që kanë qenë protagonistë te të kuqtë sezone më parë.