Demir Imeri ishte një afrim me vlera në merkaton e verës tek Egnatia. Fantazisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka bërë një paraqitje të mirë në këtë periudhë, ndërsa së fundmi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Kukësit arriti të shënojë një gol shumë të bukur, duke i hapur rrugën fitores 3-1.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Imeri flet për momentin e mirë të rrogozhinasve, si dhe ndeshjen e radhës ndaj ishekipit të tij, Vllaznisë. 26- vjeçari ka luajtur në të shtatë ndeshjet e deritanishme, ndërsa ka realizuar edhe një gol në përballjen kundër Tiranës në “Selman Stërmasi”.


Demir, si do t’i përkufizoni këto tre muaj që jeni pjesë e Egnatias? Mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur?

Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që jam pjesë e Egnatias këtë sezon. Deri tani kemi ecur shumë mirë. Është detaj kryesor për mua që u përshtata shpejt. Nuk ishte aspak e vështirë, pasi u stërvita shumë dhe gjeta një ambient komod. Megjithatë, gjatë merkatos së verës ofertat që kisha ishin të shumta, por Egnatia rezultoi më e duhura. Projekti serioz bën që jo vetëm unë, po çdokush të jetë i qetë në punën e tij në klub. Zgjedhja ka qenë më e mira e mundshme, së pari nga financat dhe me radhë.


Skuadra është brenda pritshmërive në kampionat apo mund të kishte më shumë pikë. Si e gjykoni?

Ne jemi skuadër e re dhe e ndërtuar pothuajse nga fillimi, pasi një pjesë e vogël lojtarësh ka mbetur nga sezoni i kaluar. Së bashku jemi për një qëllim kryesor. Objektiv është vetëm përballja e radhës. Besoj se deri në këtë pjesë të kampionatit kemi bërë mirë shumë. Nuk diskutohet që ka vend për t’u përmirësuar çdo herë. Egnatia është e bashkuar për të arritur më të mirën në synimet e saj.


Në çfarë pozicioni ndiheni më mirë?

Më mirë si rol ndjehem pas sulmuesve. Me pak fjalë si numër 10, por pa harruar se dhe si sulmues në krahun e majtë apo mesfushë nuk e kam problem përshtatjen. E rëndësishme është të ndihmoj skuadrën me asiste dhe gola sa herë të më krijohet mundësia. Unë respektoj çdo zgjedhje të stafit sa herë ka ndryshime për lojë rezultative. Jeni bërë protagonist me golin ndaj Kukësit në Kupë, ku fituat 3-1.

Tashmë si i shikoni shanset për kualifikim në turin çerekfinal?

Përballja e parë na jep besimin se kemi bërë shumë mirë në çdo drejtim, por unë mendoj se nuk është mbyllur asgjë. Kemi edhe 90 minuta shumë të vështira për të luajtur. Besoj shumë te skuadra dhe çunat për vlerat dhe cilësitë që kanë. Unë mendoj se kemi shumë shanse për të kaluar në raundin tjetër. Asgjë nuk na mungon në krahasim me klubet e tjera. Kemi merituar gjithçka ndaj Kukësit.


Do të luani ndaj Vllaznisë të hënën, një ekip ku latë gjurmë në sezonin e kaluar, por më pas nuk e rinovuat kontratën. Çfarë ndeshjeje prisni kundër shkodranëve?

Kam kaluar mirë në Shkodër. Gëzoj respekt për qytetin, tifozët dhe këdo atje. Thjesht u uroj më të mirën e mundshme pas ndeshjes në Rrogozhinë, si për skuadrën dhe trajnerin Brdariç. Vllaznia ka një ekip me shumë kualitet brenda, por ne do të japim më të mirën e mundshme për të marrë maksimumin.

Besoni se mund të shënoni në portën e Zogoviç?

Pse jo. Me Partizanin iu afrova golit, por nuk kisha fat. Shpresoj këtë herë fati të jetë me mua. Rëndësi ka që të fitojmë.