Nga Endri ÇINARI

Dëmtimet e disa futbollistëve kanë shqetësuar së shumti në rradhët e Vllaznisë në javët e fundit. Ku prej disa kohësh dihet që mungon Klinti Qato, me mesfushorin i cili ende vuan dëmtimin në gju që shqetëson. E në këtë mënyrë kuçovari e ka pasur të pamundur të zbresë në fushë këto javë të kampionatit.

Po ahtu vijon të mungojë edhe Dros, me mesfushorin moldav që po qëndron në infermieri prej më shumë se dy javësh tashmë. E ndërsa me ekipin tashmë nga një dëmtim është kthyer Edon Murataj, i cili në ndeshjen ndaj Flamurtarit mori edhe disa minuta në fushën e lojës.

Ku fantazisti do marrë ritmin e duhur dalëngadalë, për të qenë sërish protagonist me fanellën shkodrane. Një “mister” është gjendja e Çarls Bismark tek Vllaznia, ku për sulmuesin çdo javë pritet të zbresë në fushën e lojës. Por, ganezi nuk ka qenë i grumbulluar me skuadrën që nga ndeshja e javës së 4-të kundër Teutës, e përfunduar në shifrat 1-1 në Durrës. Takim që është luajtur në datën 21.09.2025, pra më shumë se një muaj për 24-vjeçarin që është jashtë fushave të blerta.

Dhe që në filllim mendohej vetëm për një dëmtim të lehtë e të kalueshëm. Por, që nuk po rezulton i tillë për ish-futbollistin e Skënderbeut, me Martinin që ka shikuar shtatëlartin të japë kontributin e tij vetëm 109 minuta këtë edicion në Superiore.

E të mos harrojmë se në ndeshjen e djeshme kanë munguar për arsye kartonash edhe mbrojtësit Bajrami e Kouro, ndërkohë që Murataj vërtetë luajti pak minuta, por duket qartë se është larg formës së tij pas dëmtimit që kaloi.