✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Dëmtimet e futbollistëve po shndërrohen në një “makth” tek Vllaznia, me shkodranët që thuajse çdo javë që kur ka nisur edicioni nuk e kanë pasur asnjëherë ekipin e plotë. Kjo u vërtetua edhe në ndeshjen e fundit, të humbur 0-1 ndaj Teutës, ku tek kuqeblutë u larguan nga fusha 3 futbollistë që shfaqën probleme fizike.
Fillimisht ishin Esat Mala dhe Sherif Kallaku që ngelën në dhomat e zhveshjes në fillimin e pjesës së dytë. Me dy mesfushorët që kërkuan ndërrim në drejtim të stafit teknik të skuadrës.
I pari u “detyrua” nga një goditje që mori në pjesën e parë dhe e kishte të pamundur të vijonte normalisht takimin. Teksa për Kallakun vijon i njëjti problem si në javët e shkuara, që duket se kësaj rradhe do e mbajë për një kohë të gjatë ish-mesfushorin e Tiranës jashtë fushave të blerta.
Për të shtuar këtu “dhimbjet e kokës” shtohen edhe më lëndimin e rradhës të Bismark. Ku edhe sulmuesi në startin e pjesës së dytë duhej t’a linte fushën i shoqëruar madje edhe me barelë.
Duke treguar qartazi se ka një dëmtim serioz, ku duhet kujtuar se ganezi qëndroi më shumë se dy muaj jashtë fushave, për t’u rikthyer vetëm në duelin me Partizanin në javën e 12-të. Tashmë problemet shtohen për Martinin dhe Vllazninë që duhet të bëjë ndoshta pa 3 elementë kryesorë të skuadrës në ndeshjen e rradhës.
Ku të sigurta duken mungesat e Bismark dhe Kallakut për duelin ndaj Vorës. E ndërsa do analizohet me kujdes situata e Males, pasi tek 9 herë kampionët e vendit nuk duan të rrezikojnë duke aktivizuar para kohe prizrenasin, fakt që mund të dërgojë në një përshkallëzim të dëmtimit të tij.















