Të premten në Shkodër do të luhet ndeshja e parë gjysmëfinale e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Kamza Basket. Ekipi kuqeblu natyrisht që do të tentojë të marrë fitoren dhe njëri nga titullarët e tij, pikërisht Gjon Ndoja, në një intervistë për gazetën shkodrasport.com ka bërë të ditur se janë përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje dhe për të kaluar në finale të këtij kompeticioni. “Kemi ditë që përgatitemi për këtë ndeshje. Kuptohet që jemi munduar të korigjojmë gabimet e bëra në ndeshjen e kaluar me Kamzën dhe mendoj se në ndeshjen e së premtes, nuk do t’i paraqesim sërish ato.

Loja e ekipit tonë ka ardhur duke u konsoliduar dhe tashmë duhet ta kalojmë Kamzën sepse objektivi jonë është finalja. Duke patur natyrisht pranë edhe ndihmën e tifozëve tanë të zjarrtë, kjo do të jetë plotësisht e mundshme por duhet të bëjmë shumë kujdes për të mos i zhgënjyer ato”- ka thënë Gjon Ndoja.Ndeshja Vllaznia- Kamza Basket do të zhvillohet ditën e premte në orën 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe për të kaluar në finale, duhet që ekipi shkodran të fitojë dy nga tre ndeshjet e planifikuar nga Federata. Djemtë e trajnerit Gjeçaj duken të motivuar për ta kaluar me sukses këtë kundërshtar.
Gjergj KOLA