Vllaznia po kalon momente mjaft të mira në këtë start të sezonit. 10 pikë në katër ndeshjet e para po tregojnë stabilitet te skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç. Përveç efikasitetit gjatë ndeshjeve, ajo që ka bërë përshtypje është fakti se trajneri gjerman ka përdorur të njëjtin formacion, madje edhe në Kupë.
Mirëpo, këtë herë, në prag të ndeshjes me Kukësin, që do të luhet sot në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”, Brdariç është i detyruar të bëjë lëvizje në formacion.
Mungesës së sigurt të mbrojtësit të majtë, Aleksandar Isaevski, për shkak të kartonit të kuq të marrë në takimin e luajtur në Durrës të mërkurën, pritet t’i shtohet edhe ajo e brazilianit Viktor da Silva. “Panorama Sport” mëson se fantazisti po vuan goditjen e marrë në kavilje në fillimin e lojës ndaj Teutës pas ndërhyrjes së kapitenit durrsak, Renato Arapi.
Ky dëmtim me shumë mundësi do ta lërë jashtë Da Silvën për ndeshjen ndaj Kukësit, për më tepër që koha është shumë e shkurtër dhe kavilja e lojtarit vazhdon të jetë e ënjtur. Sot do të vendoset përfundimisht nëse mesfushori me tipare sulmuese do të përfshihet në formacion apo do të mungojë në takimin e së dielës.
NDRYSHIMET – Brdariç ka gati emrat për të zëvendësuar Isaevskin dhe Da Silvën. Skema 3-4- 3 nuk do të ndryshojë, por risitë në formacion pritet të jenë pikërisht Fjoart Jonuzi në mesfushë dhe Ardit Hoxhaj ose Ismael Dunga në fazën sulmuese.
Në seancën e djeshme trajneri ka ngatërruar “kartat”, duke mos lënë shumë të kuptohet se cilët mund të jenë lojtarët që do të zënë vendet e atyre që do të mungojnë. Megjithatë, plani i gjermanit është zhvendosja e Herald Markut në krahun e majtë dhe në vendin e tij të luajë pikërisht Jonuzi në rolin e mesfushorit të qendrës bashkë me Krymin.