Pak ditë më parë lajmi që ka bërë përshtypje sa i takon kampit të Veleçikut, ka qenë largimi nga kjo skuadër i njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj, sulmuesit Denis Çokaj.
Një lojtar me përvojë, i cili në shumë ndeshje gjatë sezonit të kaluar ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të këtij ekipi, por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar që ai sot “të hidhet në rrugë”.
Themi kështu sepse ndryshe nga sa mund të mendohet për një largim të vetë sportistit, në fakt është ai që për “Shkodra Sport” tregon se e kanë hequr nga skuadra.
“Nuk jam larguar vetë nga Veleçiku por më hoqën dhe për më tepër pa arsye. Sigurisht që më vjen keq për këtë sjellje të drejtuesve sepse nuk e meritoja. Për më tepër kisha 5 javë që bëja stërvitje intensive, madje në temperatura 40 gradë dhe më e bukura është se më thirrën pastaj në ditën e fundit kur duhej të firmosja kontratën dhe më thanë nuk je në planet e skuadrës.
Kam shumë vite tek kjo skuadër dhe normal që më erdhi keq por nuk mund të veproja ndryshe. Ata e kishin marrë vendimin”- ka deklaruar sulmuesi koplikas per gazeten tone.
I pyetur ndërkohë për të ardhmen se ku do ta shohim duke luajtur në sezonin e ri, Çokaj përgjigjet: “Kam pasë 2 oferta të tjera por që nuk më bindën dhe prandaj me shumë mundësi do të jem pushim këtë periudhë”.
© shkodrasport.com