Klubi i Vllaznisë do të apelojë vendimin e Komisionit të Disiplinës, duke shpresuar në ndryshimin e masës së dënimit. Këtë e konfirmoi dje për “Panorama Sport” vetë administratori i kuqebluve, Suad Lici, i cili reagoi pas dënimit të skuadrës me katër ndeshje pa tifozë.

“Për ne ishte një vendim tërësisht i padrejtë. Për një grup të vogël tifozësh të irrituar nga vendimet absurde dhe të njëanshme të një gjyqtari, nuk mund të penalizohet një klub dhe një qytet i tërë. Atë që ndodhi në ndeshjen Vllaznia-Tirana me arbitrat e theksuan edhe mediat dhe specialistë.

Të penalizohet Vllaznia dhe për tepër tifozëria e saj, që e ka mbështetur ekipin si asnjë tjetër në numër në këto tri javë kampionat, nuk është e drejtë. Për këtë, ne kemi vendosur ta apelojmë vendimin. E theksoj, është një vendim i padrejtë dhe i pavend”, është shprehur fillimisht për gazetën administratori Lici.

Ndërkohë, ajo që lë një shije të keqe në Shkodër është fakti se po por të njëjtat skena në javën e dytë të kampionatit, pikërisht në përballjen mes Tiranës dhe Teutës, klubi pritës nuk u dënua me ndeshje pa tifozë. Megjithatë, Lici nuk dëshiroi të komentonte këtë vendim me dy standarde të Disiplinës.

“Nuk dua fare që të merrem me vendimet që merr ky komision për një ekip apo për një tjetër. Mua më vjen keq që Shkodra dhe tifozëria e saj po e pëson kështu. Ky vendim është në dëm të Vllaznisë.

Klubi unë nuk e meriton një vendim të tillë, prandaj dhe siç e thashë më lart, do të kërkojmë ligjërisht në Komisionin e Apelit zhbërjen e tij. Vendimi duhet të ndryshojë”, përfundoi administratori i klubit shkodran, i cili pas ndeshjes kundër Tiranës foli ashpër kundër vendimeve të gjyqtarit Enea Jorgji, të cilat sipas tij sollën edhe irritimin e tifozëve.