Problemet me stadiumet vijojnë të shoqërojnë futbollin shqiptar. Për këtë temë por jo vetëm ka folur në MCN TV, anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Arben Dervishaj. Dervishaj shprehet se probleme të tilla ka në çdo vend të botës dhe kjo nuk ndodh vetëm në vendin tonë.
Ai bën me dije se stadiumi i Kukësit dhe Teutës do jenë gati në muajin shkurt. Gjithashtu, nuk lihen pa përmendur edhe investimet e ndryshme të bëra nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Problemet me stadiumet? Periudha e dimrit është shumë e keqe, sidomos kur ka shira. Nuk ndodh vetëm këtu, por edhe jashtë Shqipërisë. Ndryshimi mes Shqipërisë dhe vendeve jashtë, është problemi i mirëmbajtjes. Ne e shikojmë që ka nevojë për fusha stërvitore, jo vetëm për ekipet.
Do investojmë 250 mijë euro në stadiumin e Lezhës. Nuk na i ka kërkuar Bashkia, por duam ta kthejmë në kushte optimale.Kanë përfunduar dy fusha me bar artificial në Durrës.
Të hënën fillon investimi në qytetin e Lushnjës. Me këtë investim ne e plotësojmë të gjithë infrastrukturën, që i duhet skuadrës, por edhe ekipeve të të rinjve. Federata nuk i bën këto investime sepse është fushatë elektorale, por janë projekte.
Ne kemi ndërhyrë në disa terrene. Jemi duke përfunduar stadiumin e Kukësit. Pritet këtë javë specialisti nga Greqia, për të dhënë dritën jeshile nëse është apo jo gati. Në fillim të shkurtit do të jetë gati. Ka një kapacitet prej 6 mijë e 500 vendesh. Është një impiant modern.“Selman Stërmiasi” është i Tiranës dhe ne kemi programe ndihme për klubet.
Tapeti aty ishte dëmtuar. Në kryeqytet kemi vetëm një stadium dhe i bie që e gjithë ngarkesa të shkonte në “Air Albania”. Prandaj menduam që “Selman Stërmasin”, ta rikonstruktojmë te pjesa e fushës. Ne po investojmë edhe te stadiumi i Partizanit. Natyrisht të gjitha duan kohën e tyre. Këto nuk janë projekte që nisin sot dhe mbyllen pas fushatës.
Duke përjashtuar “Air Albania”, nga buxheti i FSHF janë investuar 40 milionë euro për stadiumet dhe fushat. “Air Albania” shkoi rreth 15 milionë euro.Kemi vendosur të investojmë edhe në kompleksin e Dinamos në Pezë Helmes.
Po investojmë në shumë fusha. Jemi nga të paktat federata, që ndihmojmë klubet me stadiumet. Nuk ia bëri federata Realit stadiumin, apo Tottenham.Edhe stadiumi i Kukësit edhe ai i Teutës, do të hapin dyert në fillim të muajit shkurt. Partizani ka bërë një investim serioz për stadiumin”- tha ai./newsport/