Shqipëria është duke bërë hapa përpara në futboll dhe rezultatet janë më se të dukshme. Nëse shohim arenën europiane, lojtarët e Kombëtares tonë kanë fjalën e parë për ta nisur nga Premier League dhe për ta përfunduar në La Liga.

Sigurisht, Italinë po e përjashtojmë pasi është “pushtuar” në nivelet më të larta nga shqiptarët. Pra jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në postet drejtuese. Një prej tyre që ka arritur kaq larg është edhe Dritan Dervishi, që është pjesë e klubit të Veronës. “Sport Ekspres” e ka kontaktuar para derbit mes Tiranës dhe Partizanit.

Pavarësisht ngjarjeve dhe situatave të ndodhura në klubin e kuq, dashurinë e tij për këtë skuadër nuk mund ta ndalojë askush. Teksa në njofton se do të jetë prezent në stadium, gjithashtu ofron panoramën e tij për këtë ndeshje.

Zakonisht jemi mësuar që para derbit një ekip të jetë në formë të mirë dhe tjetri në krizë. Këtë herë të dy ekipet vijnë lart psikologjikisht. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që të dyja ekipet janë me histori të madhe dhe është detyrim për ta që të jenë në formën më të mirë dhe të na dhurojnë spektakël në fushën e lojës.


Mehmeti solli qetësinë, besimin dhe rezultatet. E pritshme?

Mehmeti është trajneri surprizë i Superligës. Nuk është vetëm ana psikologjike, por është edhe loja sulmuese që Partizani po na dhuron nën drejtimin e tij. Meriton të jetë në krye të kësaj skuadre edhe në të ardhmen.


Skuka ka nisur të emërtohet edhe si Armando Broja i Superiores. Sa larg mund të shkojë ky sulmues?

Skuka i ka bërë golat gjithmonë, të jesh sulmuesi më i mirë i Kategorisë së Parë nuk është e lehtë. Lojtar i lindur për të shënuar gol, tani duhet të punoj më shumë në anën e tij fizike. Ka interes që tani nga ekipe jashtë Shqipërisë për këtë lojtar, mos harroni që ka dy nënshtetësi. Akoma nuk arrij ta kuptoj sesi Dinamo e la të lirë këtë element, për më shumë në një rival direkt. Broja është i frikshëm edhe fizikisht dhe jam kurioz ta shoh si protagonist në Kombëtares.


Si e shpjegon formën fantastike të Tiranës, që nuk e njeh krizën në këtë sezon?

Nuk duhet ta harrojmë qetësinë që i ka dhënë trajneri. Kishin edhe ata momente të vështira, por Orges Shehi i kaloi me qetësi, duke punuar dhe larg mediave. Mua më ngjan më shumë ne Ançelotin dhe meriton një bravo të madhe. Një profesionist me kulturë që i duhet futbollit tonë, jo si disa kolegët e tij që më shumë çirren pas ndeshjeve se në stërvitje.


Seferi-Xhixha, e ka potencialin Partizani për t’i ndalur?

Partizani ka shumë potencial dhe ua përsëris, Partizani është ekip i fortë si Tirana.

Parashikimi yt për derbin, kush shënon dhe rezultati?

E rëndësishme është që të kemi një ndeshje pa incidente, jashtë e brenda stadiumit. Arbitrat nuk duhet të jenë protagonist dhe të fitojë ekipi më i mirë. Shpresoj të jetë festë e bukur për tifozët, Partizani ia ka borxh fitoren tifozëve. Shënon Sherif Kallaku!

Sa e ndien vetë presidenti Demi një ndeshje të tillë?

Gaz Demi e përjeton me shumë qetësi në pamje të parë, por pjesëtarët e familjes së tij e përjetojnë me shumë pasion një derbi të tillë Tirana-Partizani. /Sport Ekspres/