Rruga midis zyrës së trajnerit, dhomave të zhveshjes dhe “Allianz Arena” është gjithmonë e zënë. Në një format të madh sa vetë gjatësia e jetës, Julian Nagesman kalon si një tren te këto stacione të jetës dhe punës së tij.
Manuel Nojer, Robert Levandovski, Leon Gorecka dhe Joshua Kimish e shoqërojnë trajnerin në objektivin e përbashkët, titullin kampion. Një muaj nga dita e parë e tij si trajner i Bajernit ishte shumë i thjeshtë, edhe pse me rëndësi të madhe.
Pas gati 30 ditësh në “Sabener Shtrase”, Nagelsman u pyet se si ndihej në shtëpinë e kampionëve. “Është një ndjesi shumë e ngrohtë e mirë, një sfidë për këdo. Edhe pse më e ngrohtë do të jetë kur të fitoj trofeun tim të parë me Bajernin”, tha ai.
Muaji i parë në Mynih nuk ka qenë i lehtë për të, pasi u përball me një skuadër të braktisur nga yjet. Gjithsesi, ai nisi punën e tij me kokën lart dhe kurrë nuk u ankua. Më pas erdhën ndeshjet miqësore, të cilat konfirmuan vështirësitë e para. “Nuk mund të bënim më shumë në ato kushte. Është e vështirë me lojtarë të rinj, ata i janë bashkuar skuadrës për të mësuar.
Tifozët presin shumë, kjo me të drejtë por është ende herët. Skuadra bëri stërvitjen e parë të plotë vetëm të martën, dje. Tani mund të them se nuk kemi më asnjë justifikim. Djemtë kanë ndezur motorët dhe do të jenë gati në kohë”.
Trajneri është futur vetë në fushën e lojës duke luajtur dhe demonstruar ushtrimet me yjet e skuadrës. “Jam një trajner që dua të përfshihem shumë në stërvitje. Lojtarët duhet të më shohin edhe si shokun e tyre. Më pëlqen të luaj me top herë pas here dhe për këtë arsye lojërat në stërvitje do të jenë të shpeshta. Mes punës duhet të ketë edhe momente zbavitëse”.
Nagelsmani është një maniak i punës, një perfeksionist. Këtë e pranon edhe vetë 33- vjeçari i cili shprehet: “Kur diçka nuk shkon ashtu siç e mendoj ose një lojtar humb gjatë një ushtrimi, atëherë nis të mendoj se gabimi është tek unë dhe jo tek ata.
Më analizojë gjithçka, pasi siç e dini çdo stërvitje regjistrohet dhe analizohet, ashtu siç bëhet edhe me ndeshjes. Vetëm kështu mund të dallosh gabimet dhe t’i korrigjosh ato në kohë”. Trajneri i ri i bavarezëve nuk dëshiron të humbasë, motoja e tij është: “Të mos humbasim”. “Nuk më pëlqen të humbas, as në stërvitje dhe askund. Mendoj që secili nga ne ka në dorë fatet e punës së tij.
Çdokush do të ketë shanset e tij për të qenë protagonist. Nuk më pëlqejnë individualistët, dua lojtarë që luajnë për njëri-tjetrin dhe ndihmojë skuadrën. Ashtu si 80 mijë tifozë në stadium bashkohen për të mbështetur klubin në ditë me borë, shi dhe me diell.
Humbasim të gjithë dhe fitojmë të gjithë”. Teksa stërvitjes së djeshme po i vinte fundi, NagelsmanI shkon te gardhi dhe aty përshëndet ata pak tifozë që janë lejuar për të ndjekur skuadrën. Nuk mungojnë autografet dhe fotografitë.
“Nuk të jepet gjithmonë mundësia në jetë për të stërvitur skuadrën me të cilën ke qenë tifoz që në fëmijëri.
Dua të shijoj çdo minutë që punoj këtu dhe të bëj të lumtur sa më shumë njerëz. Bajerni është një klub ku kanë luajtur shumë legjenda si Bekenbauer, Muler, Rumenige dhe Hënes. Të jesh pjesë e kësaj historie është diçka e madhe.
Dua të bëj sa më shumë nga kjo situatë”. Nagelsmani mund të hyjë lehtësisht në portretin e madh të historisë së suksesshme të klubit, i cili gjithmonë ka pasur vend për njerëz me ambicie të mëdha.