Vllaznia ka qenë shumë pranë firmës së rradhës në merkato. Në fakt, bëhej fjalë për një firmë të rëndësishme, që do të sillte cilësi në ekipin kuqeblu, por gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet dhe në fund, ajo nuk është realizuar. Fjala është për ish-futbollistin e Kombëtares, Valon Ahmedi.
29-vjeçari, pas bisedave me drejtuesit e Vllaznisë, ka gjetur akordin me ta dhe ka marrë rrugën drejt Shkodrës ditën e shtunë për të hedhur firmën. Ahmedi kishte pranuar të gjitha kushtet e ofruara nga pala e Vllaznisë, me drejtuesit kuqeblu që i kishin plotësuar kërkesën për shumën e kërkuar nga ana e tij.
Kur u duk se gjithçka është mbyllur dhe ka mbetur vetëm firmosja e kontratës dhe prezantimi i afrimit të rradhës të kuqebluve, nuk ndodhi një gjë e tillë. “Shkodra Sport” mëson se çuditërisht Ahmedi ka ndryshuar mendje në momentet e fundit duke refuzuar Vllazninë dhe nuk ka pranuar të firmosë me kuqeblutë. Si rrjedhojë, ai pasi kishte marrë rrugën drejt Shkodrës, është kthyer sërish andej nga kishte ardhur.
Nga burime të ndryshme të “Shkodra Sport” mësohet se lojtari në fjalë nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë situatë, i cili madje nuk u është përgjigjur as telefonatave nga ana e drejtuesve të Vllaznisë ditën e shtunë. Gjithsesi, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë mesfushorit që e mbylli me Soligorskin në Bjellorusi, ai duket se ka ambicie për ta vazhduar karrierën sërish jashtë Shqipërisë dhe konkretisht, ka qenë babai i futbollistit që ka ndërhyrë në momentet e fundit për të ardhmen e tij.
Në këtë mënyrë, çështja e afrimit të Valon Ahmedit te Vllaznia mbyllet këtu dhe drejtuesit kuqeblu tashmë duhet të shohin alternativa të tjera për mesfushën dhe repartet e tjera. Në planet e tyre janë disa emra. Megjithatë, duhet pritur se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme.
Maringlen ZHIVANI