Prej shumë vitesh akademia bardheblu ka qenë fidanishtja e skuadrës së Tiranës. Jo vetëm që ka afruar lojtarë tek ekipi i parë, por ka bërë që nga kjo skuadër të dalin lojtarë që janë shitur me çmime të larta dhe i kanë sjellë të ardhura bardhebluve.
Mund të kujtojmë se Muçi, Çelhaka, Ismajlgeci e shumë lojtarë të tjerë janë shitur tashmë dhe kanë sjellë mbi një milion euro. Për të mos folur për lojtarët e rinj që janë afruar tek ekipi i parë si Qefalija, Tola apo të tjerë. Tani kjo akademi ka ndryshuar drejtim.
Deri para disa kohësh akademia drejtohej nga Devi Muka, një ish-bardheblu. Prej muajsh ai nuk është më në drejtimin e akademisë, ose të paktën nuk ka një vendim zyrtar për largimin e tij. Akademinë bardheblu prej kohësh e ka marrë nën drejtim Grent Halili. Një risi kjo te bardheblutë.
Nga ana tjetër, Muka te Tirana ka qenë drejtues i akademisë prej vitesh. Ai ka qenë drejtues sportiv, teknik, por edhe trajner dhe këshilltar i presidentit Refik Halili.