Pasditën e djeshme në Shkodër është zhvilluar një aktivitet mjaft interesant në sportin e atletikës. Kështu, bëhet fjalë pikërisht për Kupën e Nderimit të Figurave dhe sivjet, kjo Kupë është organizuar në nderim të dy figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Gëzim Mema dhe Vildan Tufi.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe të FSHA, kanë marrë pjesë atletet më të mirë të vendit, por edhe të ftuar nga Kosova.

Kryetrajneri i ekipit shkodran, Albert Marashi, në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” e ka vlerësuar shumë këtë aktivitet, por nga ana tjetër bëri të ditur se ky organizim do të jetë edhe në vitet e tjera në vijim. Marashi u shpreh se ndihet mjaft i lumtur që u organizua një aktivitet i tillë në nderim të dy figurave si Gëzim Mema dhe Vildan Tufi, ndërsa theksoi se Shoqata e Atletikës Vllaznia insiston prej dy vitesh për një organizim të tillë, në nder të këtyre dy ish-atletëve të njohur.

“Atëherë, unë ndihem i lumtur që më së fundmi arritëm të konkludonim në një aktivitet kaq të rëndësishëm, siç është Kupa e Nderimit të Figurave. Kemi dy vite që kemi insistuar që të zhvillohet një aktivitet i tillë në nderim të figurave të sportit që kanë dhënë kaq shumë për Shkodrën dhe për Shqipërinë.

Për ne është e rëndësishme që ky aktivitet është futur në kalendarin e garave të FSHA dhe si e tillë njihet edhe nga Federata Botërore si një aktivitet që do zhvillohet në Shkodër. Po ashtu krahas kësaj, kemi bërë të mundur që edhe falë iniciativës tonë ta fusim këtë aktivitet në buxhetin e Bashkisë Shkodër.

Pa bashkëpunimin e gjithë këtyre institucioneve, pra Shoqata e Atletikës Vllaznia, FSHA dhe Bashkia Shkodër, nuk do të ishte e mundur që të zhvillohej një aktivitet i tillë. Ky aktivitet është në nderim të figurave të shquara të sportit të atletikës shkodrane, siç e thashë edhe më parë, pra për profesorin Gëzim Mema dhe profesor Vildan Tufi, që pak kohë më parë janë ndarë nga jeta dhe meritojnë respektin dhe mirënjohjen e ne të gjithëve.

Ata kanë dhënë kaq shumë për atletikën shkodrane, duke marrë shumë e shumë tituj si ekip, shumë e shumë kampionë me sportistë dhe rezultate, por edhe me rekorde ndërkombëtare”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë në atletikë, Albert Marashi.

Për më shumë, intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme, e cila gjendet në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në Youtube. /Maringlen ZHIVANI/