Ashtu siç edhe pritej, dhuna në derbin e basketbollit të femrave mes Partizanit dhe Tiranës nuk ka kaluar ka pasoja. Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Disiplinës, grushtet mes palëve kanë sjellë gjoba të majme për klubin e Partizanit dhe protagonistet e sherrit. Basketbollistet e Partizanit, Alyssa Bannister dhe Eduards, si edhe ajo e Tiranës, Ebi Dishnica janë gjobitur respektivisht me 60 mijë lekë për shkelje të dy pikave të rregullores, sulm fizik dhe sjellje josportive ndaj kundërshtarit.

Ndërkaq, me 10 mijë lekë është gjobitur lojtarja bardheblu, Enisa Qosja. Dorë e rëndë mbi Partizanin, që është gjobitur me 10 mijë lekë për dështim të sigurisë,që solli hyrje të spektatorëve në fushën e lojës dhe 100 mijë lekë për ushtrim dhune të spektatorëve ndaj sportisteve. Një ndëshkim që duhet të zbatohet menjëherë dhe për tu ankimuar është një afat 5 ditor. Ndërkohë, Disiplina i tërheq vëmendjen gjyqtarëve që të sigurojnë zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit në masa sigurie dhe teknike.

Vendimet e Disiplinës në Basketboll

1. Në zbatim të nenit 13.8, pika f, “Hyrja e spektatorëve në fushën e lojës para, gjatë ose pas ndeshjes, në një ndeshje të organizuar nga një shoqatë anëtare”, ndëshkim i shoqatës organizatore të ndeshjes, “Partizani Basket”, në shumën 10’000 lek.;

2. Në zbatim të nenit 13.8, pika h, “Ushtrim dhune i spektatorëve ndaj pjesëtarëve të ekipeve (lojtar, trajner, etj.)”, ndëshkim i shoqatës organizatore të ndeshjes, “Partizani Basket”, në shumën 100’000 lek, për mosmarrje të masave të duhura të sigurisë.;

3. Në zbatim të nenit 14.9, “Sjellje josportive e lojtareve, trajnerëve apo personave të tjerë që qëndrojnë në stol (fyerje, kërcënime, etj.) të cilat nuk janë ndëshkuar nga gjyqtarët gjatë ndeshjes si edhe pas përfundimit të saj, por paraqiten nga vëzhguesi”, ndëshkim i lojtareve të Partizanit, Antoinette Alyssa Bannister (nr.33) dhe Lasonja Lavette Edëards (nr.22), si dhe lojtareve të SK Tiranës, Ebi Dishnica (nr.12) dhe Enisa Qosja (nr.23), në shumën 10’000 lek për secilën.;

4. Në zbatim të nenit 14.17, “Realizimi i sulmit fizik ndaj kundërshtarëve (lojtar, trajner, etj.), spektatorëve apo pjesëtar të ekipit të tij, para, gjatë ose pas ndeshje, pa pasoja për shëndetin e viktimës”, dënim i lojtareve të Partizanit, Antoinette Alyssa Bannister (nr.33) dhe Lasonja Lavette EdWards (nr.22), si dhe lojtares së SK Tiranës, Ebi Dishnica (nr.12), në shumën 50’000 lek për secilën. *Në mungesë të pamjeve filmike gjatë gjithë ngjarjes dhe duke ju referuar fakteve të paraqitura nga Vëzhguesi Teknik i ndeshjes, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e aktiviteteve të basketbolllit, Komisioni i Disiplinës nuk mund të vlerësojë përfshirjen në vendim të dënimit me përjashtim të lojtareve të përfshira në ngjarje sipas përcaktimit shtesë në nenin 14.17.;

5. Tërhiqet vëmendje të gjithë Vëzhguesve Teknik të sigurojnë zhvillimin e ndeshjeve basketbollistike si përgjegjës për zbatimin e masave teknike dhe të sigurisë të përcaktuara në rregulloren e aktiviteteve të basketbollit. Kundrejt këtij vendimi mund të apelohet brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit.