Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar anulimin e ndeshjes Iliria-Skënderbeu. Ky takim ishte programuar për t’u luajtur sot, prej orës 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës. Për shkak të përplasjes mes dy klubeve para ndeshjes, bardhekuqtë nuk kanë pranuar të dalin nga dhomat e zhveshjes.

Skënderbeu ka reaguar për “Panorama Sport” pas incidenteve të ndodhura. “Nuk janë kushte për të luajtur futboll. Nuk erdhëm për të ngrënë dru, por për të luajtur futboll”, janë fjalët e shprehura në reagim.

Njoftimi i FSHF-së:

“Federata e Futbollit njofton se ndeshja e javës së 14-të, Iliria–Skënderbeu, e programuar për t’u luajtur sot në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk është zhvilluar për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me kushtet e sigurisë.

Sipas informacioneve paraprake, në momentin e mbërritjes së ekipit të Skënderbeut në stadium, mësohet se ka pasur një incident mes lojtarëve dhe stafit të klubit Iliria, ku dyshohet se janë përfshirë edhe në konfrontime fizike.

Për shkak të këtyre rrethanave dhe problematikave të ngritura për sigurinë, është vendosur që ndeshja të mos luhet. Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje”.