Opionin nga Skënder TEMALI*

Ngjarja për të cilën do rrëfej nuk është e stisur. Ajo ka ndodhur dekada më parë dhe ka lidhje me njërin nga futbollistët më të shquar shqiptarë, Medin Zhegën, ish shokun tim të maturës.

Në vitet 70’ të shekullit të kaluar punoja redaktor në Radio Shkodra. Bie zilja e telefonit në redaksi dhe zyra e kulturës së rrethit më ngarkon të shoqëroja në vizitat nepër Shkodër dy gazetarë austriakë, Renata Erih dhe Kurt Brazda.
Punohej për ndërtimin e shtëpive të tërmetit dhe ata kishin ardhur për të pasqyruar punën që po bëhej, kryesisht në rrethin e Shkodrës. Në bashkëbisedë me kolegen Renata, ajo, mes tjerash, më thotë se në Vjenë ka qarkulluar një fjalë se në Shqipëri janë mbyllur të gjitha shtëpitë e pushimit dhe punëtorët janë dërguar për të ndërtuar. Kështu që isha i detyruar, si shoqërues, t’u plotësoja dëshirën që të shihnin kampin e pushimit të punëtorëve në Razëm, i cili funksiononte normalisht. Në pritje që të niseshim, në hollin e hotel “Rozafës” hyn shoku im i gjimnazit, futbollisti i madh, Medin Zhega. Aty e kishte sjellë rastësia, pasi, si u përshëndetëm, më shfaq shqetësimin e tij se donte të shkonte në Razëm, ku pushonte gruaja e tij, Vali me fëmijët, po autobuzi i linjës ishte nisur dhe s’i kishte mbetur rrugë tjetër veçse t’u nxirrte dorën në rrugë të madhe kamionëve që shkonin për të ngarkuar trupa në Fushë Zezë, por dhe ata, i kishin thënë, se ishin nisur pa zbardhur drita. U ndjeva i lumtur që në atë çast t’i shërbeja, ta bënim rrugën sëbashku drejt Razmës e të shmalleshim me njëri-tjetrin. Kështu që pas pesë minutash, bëra të mundur që në njërin “Fiat” të sistemoja dy kolegët e huaj dhe në tjetrën të udhëtonim unë, Dini dhe përkthyesi nga gjermanishtja.
Pas disa minutash rrugë, përkthyesi e pyet Dinin: “Pashë besën, kot, për kuriozitet, a të patën ra këpucët që të dërgoi Bekenbaueri?”
Dini, për një moment, kujtoi se përkthyesi po bënte humor, por pas pak edhe unë, edhe ai, mbetëm të befasuar nga tregimi i mëposhtëm i përkthyesit:
Kombëtarja shqiptare luante në Gjermani. Të nesërmen e akomodimit në hotel, jashtë tij ka lëvizje të pazakonta veturash, motoçikletash e fotoreporterësh, sirena policie dhe pas pak në hotel shihet të hyjë i madhi Bekenbauer. Punonjësit e hotelit nxitojnë t’i dalin përpara, me mendimin se mos ai kishte hyrë për ndonjë kafe a takim, por befasia e tyre është se ai kërkonte që atë kafe ta pinte me një mik të tij, anëtarin e kombëtares shqiptare, Medin Zhegën, ndaj kërkonte që recepsioni ta njoftonte në dhomën e tij se në holl po e priste Bekenbaueri. Kuptohet që të dy këta dy futbollistë të mëdhenj ishin njohur në përballjet e kombëtareve respektive të të dy vendeve, të RFGJ e të Shqipërisë. Madje, që në përballjen e parë kur u ndeshen Bekenbauri me Zhegën, mbreti i futbollit gjerman u kishte thënë shokëve të tij të ekipit “Kujdes, se njëri nga futbollistët shqiptarë di gjermanisht”. Bekenbauri e kishte nuhatur, se teksa udhëzonte shokët e tij për topat që përcillte drejt sulmit, fill pas tij një zë fliste shqip dhe ky zë ishte i Din Zhegës. Gjermanishten ai e pat mësuar në gjimnazin “Xheladin Fishta” të qytetit të Shkodrës nga mësuesi Karlo Ljarja, babai i artistit të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, edhe ai po gjimnazist i kësaj shkolle, në bankat e së cilës kishin mësuar edhe Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Halil Puka, etj. Kuptohet që njohja e miqësia mes Bekenbauerit dhe Zhegës u forcua pas ndeshjesh, në banketet që shtroheshin për nder të ekipeve, ku patën rastin të flisnin ngeshëm në gjermanisht.
Por në atë ditë që Bekenbaueri kërkonte të madhin Din Zhega për një kafe, ai nuk ishte përfshirë në formacionin e kombëtares shqiptare për arsye dëmtimi. Këtë njoftim i jep recepsioni, pasi nuk kishin të regjistruar asnjë futbollist me një emër të tillë. Bekenbaueri mendohet dhe në çast kërkon që të komunikojë me një nga përgjegjësit e ekipit shqiptar. Kuptohet që në atë takim ishte edhe përkthyesi, rrëfimtari i kësaj ngjarjeje. Bekenbaueri i thotë se unë erdha të pi një kafe me Zhegën e madh, por meqë qi nuk paska ardhur, do pëlqeja t’i bëja një dhuratë. Përgjegjësi i ekipit shqiptar zihet ngushtë, pasi dihej politika që ndiqej aso kohe tek ne me “dhuratat” nga jashtë, megjithatë nuk mundi t’i thoshte “jo” kaizerit gjerman dhe u detyrua ta shoqëronte një një mapo universale përballë hotelit. Aty Bekenbaueri, pas ndereve që iu bënë në hyrje, iu drejtua pavionit sportive dhe zgjodhi një palë këpucë “Adidas”, aq të lakmuara për kohën. Këtë dhuratë ai ia dorëzoi përgjegjësit të ekipit tone për Din Zhegën.
Përkthyesi edhe rrëfente, edhe shikonte tash e parë nga Dini, që e shoqëronte tregimin me të qeshurën e tij karakteristike.
“Po mandej?”, se si e pyeti.
Mandej përgjegjësi i ekipit, në vend që të mburrej me këtë vlerësim të lartë e të jashtëzakonshëm të Bekenbauerit për Din Zhegën, kërkoi ta “fshinte” e të mos kishte telashe kur të kthehej në Shqipëri pasi kish pranuar një dhuratë nga një vend kapitalist. E mori si “tinës” dhuratën e Bekenbauerit, hyri në hotel ku pushonin futbollistët shqiptarë dhe atje këpucët “Adidas” ia dha njërit prej tyre, me të cilin Dini luante dhe që ishte pinjoll i një funksionari të lartë, pra, për të, më i besueshmi se këtë dërgesë do ta bënte pa çuar “pluhur”. Dhe ai e “bëri”.
“Ato këpucë, – tha Dini me pezm, – unë nuk i kam marrë kurrë dhe sot, pas kaq vitesh, është hera e parë që unë e dëgjoj këtë histori. Ish shokut tim të skuadrës unë, por dhe të tjerët, ia kemi parë të veshura ato këpucë dhe ia kemi patur “zili”, por në heshtje kemi menduar se ai kishte mundësi më të mëdha se ne për të patur këpucë të tilla!!! Të paktën të kisha gjetur mënyrën, në mos atëhere, më vonë, të kisha falnderuar Bekenbauerin për dhuratën e tij, e cila nuk është vetëm vlerësim për mua, por edhe për futbollin shqiptar.
Kjo është historia, e dëgjuar në një fund gushti të vitit 1979.
Me Dinin jemi takuar kushedi sa herë më pas e në njërin nga këto takime e pata pyetur, nëse ia kishte zënë me gojë ngjarjen ish shokut të tij të skuadrës që i përvetësoi dhuratën e Bekenbauerit.
Dini buzëqeshi. Më tha vetëm kaq: “Ia kam falur!.
Pat një zemër të madhe si pak kush, zemër që dje i pushoi rrahjet e saj, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar.
*Shkrimtar