Krahu i djathtë i presidentit Xhaferi, pikërisht Blendi Dibra, ka qenë i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH ku ka folur për shumë gjëra. Duke nisur nga fitorja me Laçin, mungesa e tifozëve në stadium, por edhe ndeshja e rradhës me Teutën.
“Çdo fitore është e bukur dhe shpresoj të vazhdojmë në këtë rrugë. Mungesa e tifozëve? Arsyet mund të jenë të shumta, por ne duhet të përmirësojmë punën në shumë aspekte që kanë të bëjnë me marketingun, me promocionin e ndeshjeve, duke krijuar edhe një qasje ndaj të rinjve dhe mbase deri tani nuk e kemi organizuar si duhet.
Mund të ketë edhe rënie interesi të tifozëve ngaqë kanë forma nga më të ndryshmet për ta ndjekur ndeshjen online. Më ndeshjen ndaj Laçit në fakt edhe kushte atmosferike ishin shumë të këqija, megjithatë shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme të kemi më shumë tifozë në stadium për të na mbështetur sepse Vllaznia ka nevoje per to.
Ajo festë është një kod i fortë i Brdariç i cili edhe njëherë tjetër kërkon të na thotë se sa e rëndësishëm është fryma e grupit, që në fakt sezonin e kaluar ka qenë më prezente te skuadra jonë.
Këtë sezon është e vërtetë se kemi më shumë kualitete në përbërjen e skuadrës tonë, por është e vërtetë ajo që thonë të gjithë specialistët se ajo akoma nuk është aq kompakte sa duhet dhe prandaj i duhet edhe pak kohë të kapë formën e saj më të mirë.
Fitorja ndaj Laçit tregoi më shumë kompaktësi. Brdariç është shumë pasionant dhe shumë i lidhur me Vllazninë dhe në filozofinë e tij është vetëm loja sulmuese, edhe ndoshta ngaqë vetë ka luajtur në sulm.
Ne kemi përpara një sfidë shumë të vështirë me Teutën dhe duhet të kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive dhe të mbajmë gjallë objektivin tonë. Fitorja me Laçin është arkivuar dhe fokusi është totalisht tek sfida e rradhës. Gabimet tashmë duhet të jenë sa më të vogla sepse kampionati ka hyrë në rrugën e tij dhe nuk duhet të gabojmë”- eshte shprehur Dibra./SHKODRA-SPORT.COM/