Emra të rinj, sa vijnë e dalin për grumbullimin e Kombëtares. Nga nesër, pra 21 maj, deri më datën 2 qershor, ekipi do të bëjë një grumbullim në Shqipëri, me kërkesë të trajnerit Reja, që të njohë nga afër lojtarët.

Vetë tekniku, pati deklaruar se kërkon të ketë sa më shumë futbollistë, që së pari të njohë fytyrat e të gjithëve, dhe të shohë vetë nga afër me syrin e tij, cilësitë e çdo elementi, në një tip “zbori” për rreth 2 javë.

Emri më i fundit është ai i Kleandro Lleshit, mesfushorit 19-vjeçar, i cili aktivizohet me Leganes B në Spanjë. Lleshi është ftuar nga Reja në grumbullim, që ta shohë nga afër, dhe më pas do vendoset nëse do marrë një ftesë zyrtare për ndeshjet e qershorit.

Vetë mesfushori qendror, nëpërmjet një foto të postuar në rrjetet sociale, bën me dije se gjendet në Shqipëri për këtë grumbullim, ndërsa nuk e fsheh as emocionin, për një emër të madh si Hamdi Salihi, që tashmë do të jetë si ndihmës i Rejas, bashkë me Ervin Bulkun, në stafin e Kombëtares.

“Dikur e adhuroja si lojtar, tani kam kënaqësinë ta kem Mister” – shkruan Lleshi në Instagram, teksa poston edhe dy foto me Salihin, njëra para shumë vitesh kur ai ishte vetëm tifoz, dhe tjetra nga grumbullimi aktual./panorama-sport/