Shefi i garave në FSHF, Lysjen Nurishmi i ftuar emisionin “E hëna sportive” në Rtshsport ka folur për kampionatin por edhe për dy skuadrat që janë ngjitur tashmë në Superiore, Vllazninë e Grupit A dhe Bylisin e Grupit B. Sipas Nurishmit:

“Janë dy ekipe që e kanë merituar ngjitjen sepse kanë dominuar në garë dhe kanë treguar se nuk kanë “komanduar” kot, duke qenë në krye të grupeve respektive që nga fillimi e deri në fund, ndërsa duhet theksuar se ajo që është më e mira do të jetë se do i bëjnë mirë Superiores, por edhe kanë stadiume”.

Licencimet
“Ndryshe nga Shkodra që i plotëson kushtet sepse luhen edhe ndeshjet e Kombëtares dhe është një stadium i ri, i kemi kërkuar stadiumit të Ballshit dhe janë lënë si detyra që të pajiset me kamerat e sigurisë dhe dhomës së kontrollit që Policia e Shtetit të marrë përsipër ndeshjet. Në përgjithësi është një stadium që është gati”.

Mbijetesa
Nurishmi ka folur ndër të tjera edhe për garën e mbijetesës në Kategorinë e Parë dhe ndeshjet shtesë mes ekipeve të parafundit të Kategorisë së Parë dhe vendeve të dyta të Kategorisë së Dytë.

“Me përjashtimin e Kamzës dhe u krijua një mundësi për një skuadër të tretë. Opsioni i parë ishin kushtet dhe infrastruktura. Duke parë se ekipet e Kategorisë së Parë kanë kushtet, atëherë iu dha edhe një mundësi tjetër, krahas ndeshjes “Play-Off”. Sepse nuk mund të luanin Vora e Tomori sepse sportivisht ato ranë në saj të rezultateve që prodhoi gara.

Kushti
Lysjen Nurishmi tha se do të ketë masa drastike për ekipet që nuk kanë fusha dhe stadiume: “Dinamo, Veleçiku, Vora apo ndonjë ekip tjetër, nëse për 2-3 sezone nuk kanë stadiume dhe nuk plotësojnë kriteret duke mos zhvilluar ndeshjet në qytetin e tyre, atëherë nuk do të lejohen që të hyjnë më në garë.

Ky do të jetë kushti bazë, nuk mund të ngjiten ekipe të Kategorisë së Dytë në të Parën pa pasur një fushë normale. Kategoria e Parë do të jetë si Superiore, për nga infrastruktura. Për Dinamon në momentin që do të jetë gati “Arena Kombëtare”, atëherë hapet një vend në “Selman Stërmasi.

Kurse stadiumi i Besës nuk plotëson asnjë kusht, sidomos për tifozerinë që nuk garanton asgjë. Po ashtu edhe Luzi 2008 që kërkon të ngjitet, duhet të plotësojë disa kushte dhe të investojnë, ndërsa në Peqin duhet të ndërhyjmë te tapeti dhe tribuna ballore. Do e kenë të pamundur që të licencohen”, – tha Nyrishmi./vipsport/