Karriera e Valdet Ramës ka marrë një kthesë aspak të këndshme që nga 13 qershori 2015. Ajo ishte miqësorja historike ku Shqipëria mundi Francën dhe Rama luajti ndeshjen e tij të fundit me fanellën kuqezi. Deri atëherë, kishte qenë një nga emrat e preferuar të tifozerisë së përfaqësueses, por më pas De Biazi i mbylli derën, duke parë se lojtari nuk kishte edhe aq prirje për të ndjekur udhëzimet e tij taktike.

Që atëherë, karriera e tij filloi një rënie të ndjeshme, pasi nga Mynih 1860, ai kaloi të Vurzburger Kikers e pasi nuk u kthye në një lojtar të rëndësishëm as aty, provoi një aventurë pa shumë sukses në Kinë te Janbian në kategorinë e dytë.

Eksperienca kineze rezultoi po aq e dështuar dhe prej disa muajsh Rama është në kërkim të një ekipi të ri në Gjermani ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës.

Emri i fundit që ka dalë në skenë është ai i Vfr Alen në kategorinë e tretë gjermane. Klubi gjendet në vendin e parafundit në klasifikim e sigurisht që ka nevojë për përforcime që të sigurojë mbijetesën në këtë sezon. Rama është një prej emrave që u është propozuar drejtuesve të klubit për janarin, por emri i tij ende nuk ka bindur stafin teknik.

Dështimet e herëpashershme dhe fakti se ka shumë kohë pa luajtur në nivele të larta, kanë bërë që të humbet besimi te lojtari i cili në ditët kur vishte fanellën kuqezi jepte spektakël me driblime dhe gola. 14 ndeshje dhe 3 gola të shënuar për Shqipërinë, duken tashmë një periudhë shumë e largët, edhe pse kanë kaluar vetëm 3 vite që atëherë. /vipsport/