Vllaznia do të luajë nesër ndaj Skënderbeut një ndeshje të lehtë në letër por të vështirë në fushën e lojës. Sulmuesi Haris Dilaver në prononcimin e tij të dhënë për mediat sot, ka shprehur bindjen se kuqeblutë do të luajnë me të njëjtën mënyrë edhe këtë herë në kërkim të fitores.

Boshnjaku i sulmit kuqeblu po ashtu ka bërë të ditur se nuk është plotësisht i kënaqur me veten, megjithatë garanton se gjithnjë ka dhënë maksimumin në fushën e lojës për këtë skuadër.

– Pas disa javësh me probleme për sulmin, duket se ndeshja e fundit ndaj Apolonisë ka shërbyer për mirë për sulmuesit e Vllaznisë, apo jo?

është e vërtetë që në disa ndeshje nuk kemi kaluar një formë të mirë sportive, diku për gjendjen tonë, diku për terrenet e vështira ku jemi stërvitur, por fatmirësisht jemi rikthyer dhe e kemi gjetur sërish veten dhe mendoj se e rëndësishme është të ecim kështu përpara.

– A është ky një sezon i mirë për Dilaver?

Sigurisht që nuk jam krejt i kënaqur me veten, por kam provuar të jap maksimumin tim në çdo ndeshje. Më e rëndësishme është që ekipi po ecën mirë, ka mbërritur në finalen e Kupës dhe po ashtu ka edhe pretendimet e tij në kampionat.

– Në fazën e dytë Vllaznia ka fituar me rezultat të thellë në Shkodër ndaj Skënderbeut. A mendoni se do të jetë ndryshe këtë herë?

Ne çdo ndeshje e marrim seriozisht dhe futemi në fushë me idenë e qartë për ta fituar atë. Kështu do të ndodhë edhe këtë herë teksa do të kërkojmë të marrim maksimumin. Skënderbeu ka në rradhët e tij lojtarë me kualitet dhe po ashtu ky ekip kohët e fundit ka kaluar një gjendje të mirë dhe kanë marrë jo pak rezultate pozitive, por ne do të bëjmë punën tonë.

– Jeni i bindur për fitore nesër?

Sigurisht që kurrë nuk mundesh me thanë që fitorja është e sigurtë. Vllaznia do të bëjë çmos për ta fituar këtë ndeshje e të marrë ato tre pikë ndaj Skënderbeut sepse do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm deri në fund të kampionatit.

– Ditët e fundit jeni bërë me djalë. Sa ju ka motivuar ky fakt për të bërë edhe më mirë në fushën e lojës?

Jam shumë i lumtur që jam bërë edhe me vajzë dhe kjo më ka gëzuar pamasë. Njëkohësisht është një shtysë më tepër për të bërë më mirë në fushën e lojës që kjo të jetë një dhuratë për fëmijën tim.

– Pas shumë vitesh Vllaznia është më afër se kurrë fitimit të trofeve. Nuk do të dalë pa gjë ajo këtë sezon?

Ne jemi të lumtur këtu, me ambjentin, njerëzit dhe gjithçka që na rrethon. Kemi marrë shumë vlerësime prej tyre dhe për rrjedhojë jemi të vendosur për ta çuar deri në fund atë që kemi nisur./SHKODRA-SPORT.COM/