Kontratat e firmosura nga tre lojtarët e huaj, të kapitenit Goran Burzanoviç, mesfushorit Balsa Bozoviç dhe mbrojtësit Ivan Novoviç, nuk mund të quhen ende zyrtarisht të vlefshme. Kjo për shkak se mungon firma e administratorit të klubit të Vllaznisë, Fatos Gjyrezi. Nuk dihen arsyet, por një gjë është e sigurt se për t’u zyrtarizuar totalisht si pjesë e klubit shkodran këta tre lojtarë të Zetës, duhet që në kontratat e tyre të kenë dhe firmën e administratorit. Ky i fundit mbulon pjesën e Bashkisë së Shkodrës në klubin shkodran. Kësisoj pa miratimin tij nuk do të mundësohet asnjë prej lëvizjeve në këtë merkato vere.

Ashtu siç dihet për gjysmën e vitit në vijim, shuma që bashkia do të akordojë për klubin është vetëm 100 milionë lekë të vjetër. Dhe brenda kësaj shume, nga sa bëhet e ditur, mund të bëhet edhe merkatoja kuqeblu për edicionin e ardhshëm. Dihet që klubi kërkon ndërtimin e një skuadre cilësore dhe pretendente për kampionatin që vjen, por fakti që administratori Gjyrezi nuk ka firmosur ka krijuar një ngërç në kontratat e të huajve, të cilët dje janë prezantuar përpara mediave dhe tifozëve kuqeblu nga dy drejtuesit e klubeve, atij të Vllaznisë, Agron Çela dhe të Zetës, Bratislav Vukiçeviç.

 

Admir URUÇI