Federiko Dimarko po ngjitet gjithmonë e më shumë në hierarkinë e liderëve të Interit. Dikur një djalosh i lidhur me ngjyrat zikaltër vetëm si tifoz, sot anësori i majtë synon të jetë një nga flamujt e klubit, me të cilin përveç dashurisë e lidhin paraqitjet e tij fantastike dhe rëndësia që ka për skuadrën.
“Të argëtohemi, të punojmë shumë dhe të punojmë mirë është sekreti ynë. Ne po ecim mirë, mund të bëjmë edhe më mirë”, kanë qenë fjalët e italianit në intervistën ekskluzive për “Sportmediaset”, ku ka analizuar fillimin e shkëlqyer të Interit të tij. Duke snobuar Milanin dhe Juventusin, 25- vjeçari ka etiketuar Napolin si rivalin kryesor.
Cilët janë rivalët e kampionatit?
Patjetër Napoli, sepse fitoi vitin e kaluar, pastaj janë Milani dhe Juve, të gjithë do të luftojmë për qëllimin deri në fund.
Pas Benfikës, para pushimit është Bolonja…
Do të jetë një ndeshje më shumë se e vështirë. Nuk është asnjëherë e lehtë një sfidë që luhet pas Champions League.
Mendoni se mund të bëheni një nga flamujt e Interit?
Shpresoj që po, është ëndrra ime. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaj për Interin dhe nuk shoh asnjë problem nga këtu e tutje.
Vitin e shkuar mbërritët në finalen e Ligës së Kampioneve…
Ajo që bëmë vitin e kaluar është e jashtëzakonshme, historia e Interit flet qartë, nuk ndodh shpesh që arrijmë në fund të një kompeticioni si ky. Mendoj se këtë vit duhet të fillojmë përsëri nga ajo që bëmë vitin e kaluar, ne e dimë që nuk është e lehtë, por le të themi që jemi në një pikë të mirë. Nuk duhet të kemi frikë nga askush, janë ndeshje futbolli dhe e bëjmë këtë punë për të luajtur ndeshjet e rëndësishme.
Në kampionat keni bërë 12 hapa falsë një vit më parë…
Unë mendoj se vitin e kaluar ndoshta kemi bërë gabim që nuk menduam ndeshje pas ndeshjeje, por menduam shumë përpara, për ato që kishin më shumë rëndësi. Këtë vit ne po mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe është thelbësore, pasi nuk mund të nënvlerësojmë askënd.
Çfarë ndikimi ka pasur Markus Turam?
Unë tashmë e njihja Markusin, sepse kishim luajtur kundër tij kur ishim të rinj, por të gjithë sulmuesit tanë po bëjnë mirë.