Dinamo e sezonit të ri pritet qe të ketë pretendime madhore, madje edhe për trofe. Jo më kot me treshen e investitorëve Adrian Bardhi, Geri Prifti dhe Gurten Papuli, financat janë të garantuara edhe për t’i hapur rrugë një merkatoje që të bëjë diferencën në elitë. Ndaj edhe blutë duan që të pretendojnë e madje për të sfiduar jo vetëm skuadrat e kryeqytetit si Partizani e Tirana por edhe Teutën e Vllazninë apo Laçin.

Kështu së fundmi, drejtuesit e Dinamos duan që të bëjnë të vetin portierin që është grumbulluar nga Kombëtarja, mallakastriotin Romeo Harizaj. Madje ka pasur edhe një takim mes donatorëve blu dhe administratorit të Apolonisë Olsi Bregu.

Harizaj ka pasur një rritje në formën e tij, ndërsa portieri me origjinë nga Ballshi ka qenë titullar i padiskutueshëm në Fier ku edhe është promovuar këto vitet e fundit. Bisedimet kanë avancuar mes palëve, ndërsa duhet thënë se Harizaj ka pasur oferta edhe nga jashtë vendit apo dhe nga ekipe të tjera të elitës.

Apolonia ka shumë lojtarë të talentuar në gjirin e vet, ndërsa ata që bien në sy janë edhe Sota, Mihana apo Gjata të cilët gjithashtu janë pjesë e interesit të klubeve të cilët janë të interesuar për t;i mbajtur në elitë. /Vipsport/