Koha e shkurtër deri në derbin e nesërm me Tiranën ka vënë në siklet trajnerin Bledi Shkëmbi dhe stafin e tij, pasi dëmtimet janë shtuar nga ndeshja e së mërkurës për kupë. Portieri Romeo Harizaj dëmtoi kaviljen dhe në pjesën e dytë ia la vendin kolegut Edvan Bakaj, ndërsa Rimal Haxhiu pati një kontraktim muskulor.
SOFRANAK
Gjasat janë që këta lojtarë të mos jenë në dispozicion të shtunën dhe duke shtuar edhe mungesën e sigurt të qendërmbrojtësit Aleksandër Sofranak, zgjedhjet komplikohen jo pak për trajnerin Shkëmbi. “Panorama Sport” mëson se malazezi Sofranak është larguar për në Serbi, ku po ndjek një terapi speciale për rikuperimin. Në vend të tij, në ndeshjen e fundit luajti Sidibe dhe në mesfushë u aktivizuan Siljanovski dhe Demiri.
Një dyshe që funksionoi mirë, por mbetet për t’u parë, nëse trajneri i bluve do t’u besojë sërish këtyre lojtarëve apo do ta kthejë Siljanovskin në vendin e tij, pasi Rimal Haxhiu është dëmtuar. Nëse Shkëmbi e lë maqedonasin në mesfushë, atëherë duhet të sajojë një mbrojtës të ri të krahut të djathtë, sepse edhe Edis Maliqi është i dëmtuar. Ali Samake u aktivizua në pjesën e dytë dhe është alternativë më e mirë për formacionin, nëse Siljanovski kthehet në mbrojtje.
Një situatë jo pak e komplikuar për Dinamon në prag të derbit të dytë me Tiranën, ku në favor të bluve është ana psikologjike, pas fitores në Kupë. Ndërkohë, sulmuesi Xhuljano Skuka ia ka shtuar kuotat vetes për të qenë sërish në fushë nga minuta e parë, pas asaj paraqitjeje fantastike të mërkurën.
Stafi teknik i bluve ka edhe një seancë të fundit sot për të vendosur për 11-shen titullare, por në krahasim me ndeshjen e fundit gjasat janë që të mos bëhen më tepër se dy ndryshime në formacion.