Dinamo e 2022-shit pritet të jetë një skuadër më e mirë dhe më kompetitive. Blutë kanë ndryshuar jo pak, që nga stafi teknik, ku trajnerit Shkëmbi i është bashkuar Devolli, ndërsa në kontigjentin e lojtarëve ka pasur largime dhe afrime.

Gradualisht Dinamo “e re” po kristalizohet dhe ndryshimet në formacion prekin të tria repartet. Dhe kjo do të thotë se disa titullarë të deritanishëm do të ulen në stol. Në një sezon me ndeshje të ngjeshura mes kampionatit dhe Kupës ka vend për të gjithë dhe stoli duhet të jetë po aq i fortë sa titullarët për një skuadër me pretendime. Dinamo duket se do ta ketë këtë “luks” dhe nuk do t’i duhet të bëjë spostime lojtarësh në role të caktuara.

PORTA – Është i vetmi sektor që nuk ndryshon te blutë, të cilët kanë tre portierë të gatshëm. Më shumë përvojë kanë Edvan Bakaj dhe Romeo Harizaj, por për momentin katërkëndorin e mbron Simon Simoni, 17-vjeçari që ka luajtur në dy ndeshjet me Vllazninë dhe Skënderbeun dhe nuk ka pësuar gol.

Për më tepër, lezhjani ka treguar personalitet në fushë dhe duket se Dinamo e ka të sigurt portën për shumë vite me të.

MBROJTJA – Siljanovski dhe Isaevski janë titullarët e krahëve, dy lojtarë me përvojë. Për dy vendet në qendër do të jetë një garë treshe mes Sofranakut, Imamit dhe afrikanit që pritet të vijë. Gjithçka varet nga forma sportive e secilit, por malazezi është një nga lojtarët më të paguar dhe vështirë të ulet në stol.

Për mbrojtësin tjetër që do të përforcojë prapavijën thuhet se ka një nivel të lartë dhe logjikisht pritet të jetë titullar, kështu që më shumë rrezikon Imami të ulet në stol.

Sido që të jetë, tre mbrojtës qendre janë të domosdoshëm për çdo skuadër, po të kemi parasysh dëmtimet dhe kartonët gjatë sezonit.

MESFUSHA – Këtu ka të bëjë shumë skema: nëse trajneri Shkëmbi zgjedh të luajë me 3 lojtarë në qendër, një variant që ka funksionuar në disa ndeshje, atëherë Sidibesë dhe Demirit do t’u bashkohet Lilaj, i ardhur ditët e fundit në skuadër. Nëse në qendër do të jenë dy lojtarë, gjasat janë që ata të jenë Lilaj dhe Sidibe, ndërsa Demiri mund të luajë si mbrojtës i majtë, mesfushor i majtë ose do të ulet në stol.

SULMI – Është reparti që ndryshon më shumë. Për sulmin, i sigurt për momentin është kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, Agim Ibraimi. Mbetet të shihet, nëse ai do të luajë pas sulmuesit kryesor, pas dyshes sulmuese apo në krah.

Rexhinaldo dhe Denison Silva, dy nga afrimet në merkaton e dimrit, me siguri janë marrë për titullarë dhe nëse kanë gjendjen e duhur fizike, kështu do të ndodhë. Në këtë rast, sulmi plotësohet me Ibraimin.

Me këtë formacion, ata që rrezikojnë më shumë të ulen në stol janë lojtarë si Maliqi, Imami, Mihana dhe Çinedu.

Po të kemi parasysh edhe emra të tjera, si Patrik Bardhi, Rimal Haxhiu dhe ndonjë tjetër, atëherë trajneri Shkëmbi mund ta kthejë pa frikë kokën pas, madje do të ketë alternativa dhe mund të zgjedhë rehat.