Java e dytë stërvitore ka ni sur me fytyra të reja te Dinamo. Në ambientet e klubit kryeqytetas në Arbanë, ku tashmë është edhe selia e bluve, ishin të pranishëm portieri Edmir Sali dhe braziliani Lorran de Oliveira. Për të dy këta futbollistë, firma dhe prezantimi është tashmë një formalitet. Zyrtarisht është prezantuar edhe Zhoselin Behiratçe.

Pritjes i erdhi fundi dhe ai dje është konfirmuar si përforcim për Superioren. Portieri dhe mbrojtësi do ta çonin në 7 numrin e lojtarëve të rinj nën urdhrat e trajnerit Dritan Mehmeti, pas Albion Markut, Rustem Hoxhës, Luis Kaçorrit dhe Devid Kapllanit. Sigurisht që merkatoja e bluve mbetet e hapur dhe lëvizje do të ketë në të dy kahet, në hyrje dhe në dalje. Me ardhjen e lojtarëve të rinj bëhet edhe më i nevojshëm largimi i disa prej atyre që ishin pjesë e skuadrës në Kategorinë e Parë. Blutë aktualisht kanë në skuadër 3 mbrojtës të djathtë dhe 3 mbrojtës të majtë, që do të thotë se të paktën 2 prej tyre do të largohen.


MARKU-SHEHI
– Drejtuesit e Dinamos janë në kërkim të lojtarëve me peshë, por edhe të alternativave. “Panorama Sport” mëson se ka pasur sërish kontakte me dy lojtarët e larguar nga Vllaznia, Herald Marku dhe Dejan Shehi. Gjithçka është e hapur. Që në fillim të merkatos blutë kërkojnë lojtarë me eksperiencë për mesfushën dhe tentuan emra si Aleksi, Hila dhe Jonuzi, por nuk u konkluduan me asnjërin prej tyre. Më pas doli në skenë emri i Markut, tashmë edhe i Shehit, si dy alternativa të mundshme për të përforcuar Dinamon. Për mbrojtjen në fakt emri i parë mbetet ai i Nehar Sadikit të Erzenit. Nëse kjo pistë nuk realizohet, atëherë mund të shkohet te Shehi. Që të dy këta lojtarë kanë qenë se bashku, si te Vllaznia, ashtu edhe te Partizani. Më i nevojshëm për kryeqytetasit do të ishte Marku, pasi për mesfushën nuk është bërë ende asnjë goditje. Dhe nëse ky futbollist do të firmoste me Dinamon, do të ishte Marku i 4-ti në skuadër, pas Taulant Markut, Aurel Markut dhe Albion Markut.


SULMI
– Luis Kaçorri dhe Devid Kapllani nuk do të jenë sulmuesit e vetëm që Dinamo do të afrojë në këtë merkato. Klubi po kërkon një sulmues me kualitet për sezonin e ri dhe sipas burimeve të gazetës ai mund të vijë nga Italia. Bëhet fjalë për një lojtar të huazuar nga ekipet e mëdha italiane, por kjo pistë do të konkretizohet vetëm pas kthimit të bluve nga faza përgatitore në Itali, pak para nisjes së kampionatit. Po ashtu, po shihen edhe alternativat të tjera për afrimin e ndonjë sulmuesi krahu, ku aktualisht mund të luajnë Denison, Karamba apo Patrik Bardhi.