Përforcimet e Dinamos së re do t’i shohim pas datës 12 gusht, pasi skuadra të kthehet nga Italia, ku dhe po zhvillon fazën përgatitore. Megjithatë, puna e klubit blu vazhdon në merkato dhe burime kanë zbuluar dje dy emra që mund t’u bashkohen kryeqytetasve për sezonin e ri që nis më 26 gusht.

Njëri prej tyre është i njohur për ambientin futbollistik shqiptar, pikërisht portieri Bekim Rexhepi, pjesë e Partizanit sezonin e kaluar. Ndërsa tjetri është mbrojtësi i djathtë maqedonas, Todor Todorovski. Aktualisht palët janë në bisedime dhe së shpejti mund të ketë një akord. Nëse këta dy lojtarë vishen blu, do ta çonin në 3 numrin e përforcimeve të “Dinamo City”, pas sulmuesit kosovar, Baton Zabërgja, i cili prej disa ditësh po stërvitet me skuadrën në Karpenja të Italisë.

PORTIERI – Ditët e fundit gazeta ka bërë me dije se trajneri italian i Dinamos, Luixhi Di Biaxho, nuk është i bindur as me portën, një sektor që më parë konsiderohej i mbyllur, pas afrimit të Edmir Salit. Stafi teknik i bluve kërkon më shumë garanci për kuadratin e portës dhe ia ka bërë të qartë klubit këtë fakt. Italiani Krosta duket se ka dalë jashtë planeve, ndërsa Sali mund të kalojë si portier i dytë. Dhe për postin e titullarit ka dalë në skenë emri i Bekim Rexhepit, 26-vjeçarit të lindur në Shkup, që ka pasaportë maqedonase dhe shqiptare. Ai ka luajtur dy sezonet e fundit në Superiore, fillimisht me Skënderbeun, ku ra në sy për nivelin e tij dhe kampionatin e fundit me Partizanin, ku u shpall edhe kampion i vendit. Pas kampionatit, Rexhepi u largua nga të kuqtë, të cilët tashmë mund t’i ketë rivalë në derbin që mendohet se do ta luajë me fanellën e Dinamos. Aktualisht portieri është pa ekip, çka e bën edhe më të thjeshtë mundësinë për të firmosur me blutë, nëse do të plotësohen kushtet nga të dyja palët.

MBROJTËSI – Në orbitën blu është edhe mbrojtësi i djathtë nga Maqedonia e Veriut, Todor Todoroski, që sezonin e fundit ka luajtur në Azerbajxhan për Sumqayit. Emri i 24-vjeçarit nga Prilepi doli pak ditë më parë te Partizani si një zëvendësues i Andi Hadrojit, por tashmë mësohet se ai është më pranë Dinamos. Edhe pse është i ri në moshë, Todoroski ka provuar të luajë në disa kampionate përveç atij maqedonas, ku ka veshur fanellën e Vardarit. Ai ka luajtur edhe në Kroaci me Osijekun dhe Shibenikun, apo dhe në Serbi me Radniçkit të Nishit. Todoroski ka si pozicion natyral atë të mbrojtësit të djathtë, por aktivizohet edhe në të majtë dhe si mesfushor në të djathtë. Ndoshta te blutë ai mund të luajë në të majtë, duke qenë se për krahun e djathtë janë Albion Marku dhe Vokrri. Edhe në këtë rast duhet pritur për të mësuar nëse do të kemi një marrëveshje zyrtare, apo vetëm një hipotezë.

TË TJERËT – Të hapura, madje në një fazë të avancuar janë edhe pista të tjera të merkatos blu. Dinamo është shumë afër një mesfushori kroat, që mund të vijë nga Dinamo e Zagrebit dhe bëhet fjalë për një element me shumë kualitet (emri mbahet sekret nga klubi blu). Po ashtu, pritet edhe një sulmues afrikan, pasi bisedimet janë në rrugë të mbarë dhe mund të mbyllen shpejt. Klubi po studion edhe profile të tjera lojtarësh të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj. Emrat dhe detajet e tjera pritet të zbulohen pas kthimit të skuadrës në Shqipëri. Drejtori sportiv, Haris Fakiç, është në luftën me kohë për t’i sjellë Di Biaxhos lojtarët e duhur./PANORAMA-SPORT/