Vllaznia këtë javë do rikthehet të luajë në kampionat për javën e 5-të të kampionatit kundër Dinamos. Një ndeshje që në histori ka prodhuar duele të paharrueshme dhe që kanë ngelur në memorien e të gjithëve. “Nëndetësja” blu rikthehet në Shkodër për një takim Superliges pas thuajse 10 vitesh.

Takimi i fundit që u luajt për Superligën mes Vllaznisë dhe Dinamos në stadiumin “Loro Boriçi” daton me 17.12.2011. Në atë ndeshje Vllaznia fitonte në shifrat 2-1 kundër kryeqytetasve. Vendosnin golat e Smajlit dhe Vajushit për kuqeblutë ndërsa më parë për miqtë kishte shënuar Shtini.

Ky do ishte edhe sezoni i fundit në Superligë për Dinamon që atë sezon rrëzohej në Kategorinë e Parë, për tu rikthyer këtë sezon. Pas 10 vitesh ka ndryshuar thuajse gjithçka. Ekipet nuk kanë më asnjë lloj lidhjeje me atë çfarë ka ndodhur para 1 dekade.

Dueli historik rikthehet për Superligën, tashmë me dy ekipe që kanë pretendime madhore këtë sezon dhe që garantojnë për spektakël ditën e hënë në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI