Dinamo është në kërkim të trajnerit të ri. Ndonëse mungon ende vendimi zyrtar për italianin Rodolfo Vanoli, është e qartë se aventura e tij me blutë e kryeqytetit ka përfunduar. Sipas “Panorama Sport” drejtuesit e klubit duan t’ia besojnë projektin e ri gjermanit Thomas Brdariç.
Mund të tingëllojë e çuditshme që ai të drejtojë një skuadër në Kategorinë e Parë apo që blutë të shpenzojnë kaq shumë në këtë kategori, por çdo gjë mund të ndodhë.
Gazeta mëson se ka pasur kontakte mes palëve ditët e fundit. Për momentin është më shumë një dëshirë e dyshes drejtuese të Dinamos, Bardhi-Gjidodaj. Brdariç e njeh mirë futbollin shqiptar.
Për gati dy sezone ai ka drejtuar Vllazninë dhe ka pasur një ecuri relativisht të mirë. Ai mund të joshet nga emri i Dinamos, edhe pse sezonin e ri kjo skuadër do të luajë në kategorinë inferiore.Thelbësore kuptohet që është ana financiare, për të cilën drejtuesit e Dinamos janë gati të sakrifikojnë, por edhe projekti për skuadrën e re.
Presidenti Bardhi është shprehur i gatshëm për të nisur gjithçka nga e para dhe për të ndërtuar një Dinamo të denjë për kthimin në elitë dhe për të hapur një cikël të ri aty.Tani mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në vazhdim.
Çështja e stolit është shumë e rëndësishme dhe drejtuesit e klubit janë të predispozuar për t’i dhënë zgjidhje sa më parë, edhe pse kanë gjithë kohën e nevojshme në dispozicion.Sezonin e fundit Dinamon e drejtuan tre trajnerë, Bledi Shkëmbi, Bledar Devolli dhe Rodolfo Vanoli.
Ditët e fundit ka pasur zëra për lezhjanin Dritan Smajli si kandidat për stolin blu, por ish-mbrojtësi ka treguar për gazetën se nuk ka asgjë të vërtetë, të paktën deri tani.“Ëndrra” e Dinamos është Thomas Brdariç.