Klubi i Dinamos ka prezantuar sot publikisht mesfushorin e afruar gjatë merkatos së verës, Bakari Gudiabi. Senegalezi ishte në listën e bluve por tashmë ka plotësuar dokumentacionin që i nevojitej dhe ka hedhur firmën në kontratën e tij.
Klubi e ka prezantuar me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqej ai përkrah drejtorit sportiv Haris Fakiç.
“FC Dinamo City njofton se ka arritur marrëveshjen me futbollistin senegalez, Bakary Goudiaby. Mesfushori 21-vjeçar vjen në Shqipëri pas eksperiencës me ekipin Teungueth Fc në Premierligën e Senegalit, ku së fundmi ishin edhe fitues të kupës.
Bakary Goudiaby është pjesë e kombëtares U-20 të Senegalit dhe do të jetë një përforcim me vlerë për 18 herë kampionët e Shqipërisë!”, shkruhej në njoftimin e bluve.