Me rënien e skuadrës nga Superiorja ishte e qartë se te Dinamo do të kishte shumë lëvizje në hyrje dhe në dalje. Shumë lojtarë u larguan dhe klubi deri tani ka ndërhyrë në merkato, duke afruar një numër të konsiderueshëm lojtarësh për të tria repartet.

Janë afruar lojtarë të afirmuar, si Asion Daja, Taulant Marku, Ilir Allmuça, Ersil Ymeri e ndonjë tjetër, por gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe shumë lojtarë në provë.

Disa nga këta të fundit kanë ardhur dhe kanë ikur. Ka mbetur edhe pak më shumë se dy javë nga nisja e kampionatit dhe gradualisht duhet përcaktuar qartë grupi i futbollistëve që do të përfaqësojnë Dinamon në sezonin e ri.

AFRIME – Në klubin kryeqytetas kërkojnë që ngjitja në Superiore të jetë e sigurt dhe për këtë arsye duan që skuadra të jetë sa më e kompletuar. Pas ndeshjes me Vorën, ku Dinamo fitoi 1-0, trajneri Nevil Dede ka pohuar se merkatoja nuk është mbyllur.

“Do të vijnë të tjerë”, – tha ai për gazetën, duke lënë të kuptohet se pret më shumë se një futbollist para se të nisë kampionati. Kuptohet, nuk u përmend asnjë emër, siç ndodh në situata të tilla.

“Panorama Sport” ka mësuar se një nga afrimet pritet të jetë mbrojtësi Stivian Janku, aktualisht pjesë e Bylisit. Madje, me këtë lojtar ka edhe një marrëveshje paraprake. Kurioziteti është se çfarë lojtarësh të tjerë do të afrohen.

SULMI – Ndoshta një nga afrimet e fundit mund të jetë në sulm, nëse u referohemi edhe deklaratave të mëparshme të drejtuesve të klubit kryeqytetas.

Dinamo ka aktualisht Rexhinaldon dhe Taulant Markun si qendërsulmues, por edhe disa sulmues anësorë, si Denison, Diogo, Bardhi apo dhe Danaj që luan pas sulmuesve.

Megjithatë, gjithmonë për më shumë garanci në realizimin e objektivit, blutë mund të bëjnë edhe një tjetër goditje në këtë repart. Për momentin, nuk ka ndonjë emër konkret si kandidat të mundshëm për të veshur fanellën e Dinamos.