Thomas Strakosha po arrin të afirmohet gjithnjë e më shumë te Lacio si një prej portierëve më të mirë në qarkullim, pavarësisht moshës së re që ka. Portieri i përfaqësueses shqiptare është kthyer në një titullar të paprekshëm dhe ka ndihmuar këtë ekip që të transformohet në një prej pretendentëve për trofe në Itali, siç e tregoi së fundmi kur ngriti lart SuperKupën përballë Juventusit.
Sigurisht, gjatë këtyre viteve nuk kanë munguar kritikat dhe fillimi i këtij sezoni ka qenë i turbullt për të. Por në mbrojtje të gardianit shqiptar ka dalë një legjendë e katërkëndorit si Dino Zof.
Ish-portieri i Italisë dhe Juventusit, ditur trajner edhe te Lacio, i ka cilësuar të padrejta kritikat që janë bërë për djaloshin shqiptar i cili është kthyer në një element të pazëvendësueshëm për skuadrën e drejtuar nga Simone Inzagi.
“Ai është një portier shumë i mirë. Po paraqitet mirë. Është e qartë se të gjithë mund dhe duhet të përmirësohen, por disa kritika që kam dëgjuar ndaj tij më duken të padrejta”, tha ai për “Il Messaggero” ku ka dhënë edhe këshilla që Lacio të mos bëjë gabimet e të kaluarës.
“Tani vjen pjesa më e vështirë. Diferencën nga këtu deri në fund të kampionatit do ta bëjë bindja. Do të jetë thelbësore që të mos i hyjë vetja në qejf. Përkundrazi, do të jetë e rëndësishme që të jetojnë me pak frikë dhe të mos dorëzohen kurrë.
Lacio ka shfaqur vështirësi pikërisht kur është ndjerë e qetë dhje padrone e fushës. Le të marrim për shembull ndeshjen me SPAL, aty është gjithçka nga kjo që sapo thashë”, ishte këshilla e ish-Kampionit të Botës me Italinë. /vipsport/