Ronald Kuman është kthyer në një të padëshiruar nga tifozët e Barcelonës, të cilët e kanë kontestuar zëshëm teknikun gjatë “El Clasico” e pas tij arritën deri aty sa sulmuan makinën e holandezit. Por për klubin, Kuman është i paprekshëm.

Sipas të përditshmes “AS”, pavarësisht disfatave në kampionat e situatës së krijuar me tifozët, Laporta nuk ka ndër mend të prekë trajnerin deri në fund të sezonit, duke vendosur që të vazhdojë me të deri në mbyllje të kontratës. E vetmja gjë që mund ta bëjë të ndryshojë mendje, do të ishte një eliminim i parakohshëm nga Liga e Kampioneve, pa kaluar fazën në grupe të aktivitetit.

Barcelona nuk eliminohet në grupe prej 21 vitesh e nëse një gjë e tillë përsëritet pas dy dekadash, Laporta nuk do të mendohej gjatë, pasi kostoja financiare nga rënia e imazhit do të ishte më e rëndë se sa dëmshpërblimi që duhej t’i paguante teknikut holandez për prishje para kohe të marrëveshjes.

Gjithsesi, palët do të ndajnë rrugët mes tyre në fund të këtij sezoni pasi presidenti i Barcelonës e ka të qartë se për vitin tjetër duhet një projekt i ri, me një teknik që të kthejë përsëri entuziazmin te tifozët, edhe pse kriza financiare në klub do të vazhdojë edhe atëherë.