Nga Endri ÇINARI
Emri i tij ka qarkulluar shumë në ditët e fundit për një rikthim në Superiore. Fjala është për Dejvi Bregun, sulmuesin vlonjat që luan me Umraniyespor. Për 28-vjeçarin duket se ka pasur interesim nga skuadra si: Tirana apo Partizani, por duket se tashmë informacione për të po kërkon edhe Vllaznia.
Nga sa mësohet klubi shkodran ka si objektiv afrimin e ish-futbollistit të Teutës në këtë merkato janari. Miqësia që ka drejtori sportiv Osmani me Bregun mund të jetë një avantazh në këtë marrëveshje. Dhe tashmë sondazhet duken të hapura për sulmuesin e krahut në rradhët e shkodranëve.
Bregu në futbollin shqiptar është aktivizuar me skuadra si: Flamurtari, Luftëtari, Skënderbeu dhe Teuta, ku me durrsakët u shpall edhe kampion në sezonin 2020-21.
Prej sezonit 2021-22, ai është pjesë e futbollit turk. Ku për dy sezone ishte pjesëe Boluspor ku u aktivizua një gjysmë sezoni së bashku edhe me Balajn.
Në merkaton e verës së shkuar ai kaloi në rradhët e Umraniyespor, ku ka luajtur 11 ndeshje në kampionat duke shënuar 1 gol. Vetë Bregu para pak ditësh u shpreh se nuk e shikon të afërt rikthimin në Superiore. Por shpesh kemi parë që deklarata të tilla bien poshtë në kohët kur merkato është e hapur.