Asnjëherë i njëjti formacion. Kjo është karakteristika kryesore e më shumë se një viti në drejtim të Kristian Panuçit në drejtimin e Shqipërisë.

Sot, i ndikuar edhe nga forma e futbollistëve, formacioni që pritet të hedhë në fushë do të jetë i 11-ti i ndryshëm në 11 ndeshje të luajtura nën drejtimin e tij.

Sipas planit, do të ketë hapësira për disa emra si Mavraj, Gjimshiti e Grezda që nga fillimi i ndeshjes pasi nuk kanë minuta në këmbë dhe duhet ta përdorin si “nxemje” për duelin me Izraelin.

Por do të ketë vend edhe për të rinjtë si Uzuni e Dermaku, ndonëse mbetet për t’iu parë nëse do të jenë nga minuta e parë apo do të hyjnë në fushë në pjesën e dytë.

Sipas sinjaleve të para, Uzuni pritet të luajë nga fillimi në këtë sfidë dhe kjo do të mjaftojë që formacioni në fjalë të jetë i 11-ti i ndryshëm nën drejtimin e Panuçit, një rekord për përfaqësuesen shqiptare ku me përjashtim të disa emrave, nuk dihet ende me saktësi se kush është formacioni bazë i kuqezinjve. /vipsport/