Belajdi Pusi ka zyrtarizuar në ditën e djeshme largimin nga Vllaznia. Një vendim i ardhur nga vetë futbollisti që kërkon më tepër hapësira në fushë për të treguar aftësitë e tij. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, ka bërë një rrëfim të gjatë për të na treguar më shumë detaje.

Për ta nisur që nga largimi nga Vllaznia dhe ikja e shumë talenteve të akademisë, te një rikthim për ta dërguar këtë klub në majën më të lartë, si në kohët më të vjetra. Gjithashtu një premtim ka edhe për babain që të ndihet sa më tepër krenar.

Ky largim nga Vllaznia ishte një vendim që ti e ke marrë papritur në orët e fundit apo i menduar qysh më herët?

Largimin nga Vllaznia e kam menduar prej kohësh dhe i kam kërkuar edhe herët e tjera drejtuesave të klubit. Por atëherë nuk ishte e mundur, tani më lejuan dhe i falenderoj për mirkuptimin.

Nuk është hera e parë që një lojtar i akademisë t’i largohet Vllaznisë. A është kjo një alarm për ta?

Po është e vërtet se janë larguar disa lojtarë të mirë nga Vllaznia. Ata janë larguar duke e ditur se këtu nuk kanë mundësi aktivizimi. Lojtarët duan që të luajnë, të ndihen të rëndësishëm dhe të tregojnë sesa vlejnë. Shpresoj që një ditë të bashkohen te Vllaznia, të gjithë ata që e duan dhe të japin shpirtin në fushë për ato ngjyra që Shkodra të gëzojë edhe njëherë si në kohët e vjetra.

Sa i përket të ardhmes, mbetesh në Superiore?

Për të ardhmen nuk kam vendosur ende, sepse dua që këtë herë të bëj zgjedhjen e duhur. Ndoshta mbetem sërish në Superiore, por të shohim në ditët në vijim.

Deklarata jote nuk ishte një lamtumirë, por mirupafshim. Kjo nënkupton që kthehesh te Vllaznia kur të sigurojnë se do jesh protagonist me ta?

Po normalisht që drejtuesit më kanë lënë derën e hapur te Vllaznia, siç e shikoni edhe ju në deklaratën zyrtare të klubit. Unë jam shkodran dhe një ditë do të kthehem ndoshta pas 5 muajsh, ndoshta në fund të karrierës, por e sigurt që do të kthehem si protagonisti kryesor.

Babait ia realizove dëshirën, por a u prek nga ky largim?

Babai është personi që më bëri të futem në këtë rrugë dhe është motivimi më i madh. Do të arrij sukses vetëm që ai të jetë krenar me djalin e tij. Ai më ka parë duke shënuar me Vllazninë dhe kjo ishte një ëndërr e realizuar. Tani kam një premtim për të: “Do të bëj të festosh si i çmendur me gola të tjerë më të rëndësishëm”. /Sport Ekspres/