Dita e sotma ka qenë e veçantë. Ish- kolegu ynë i nderuar Mejdan Zhivani
duhej të festonte përvjetorin e 42-të të lindjes së tij.

Për fat të keq, ai prej tre vitesh e gjysëm nuk është më mes nesh.

Prandaj dhe sot ai ka munguar në ditëlindjen e tij të rradhës. Por ndonëse jo fizikisht, ka qenë pranë nesh me kujtimin e tij.

Ka qenë trajneri i njohur i moshave në Shkodër Valmir Kurti që ka ndërmarrë një inisiativë shumë interesante.

Ka zhvilluar kupën me emrin e tij. Madje duke mos e ditur se data 28 qershor
përkonte me ditëlindjen e tij.

Një koinçidencë e jashtëzakonshme por ja që ndodh për një njeri të jashtëzakonshëm.

Mejdan Zhivani, gazetari sportiv ka lënë pas shumë miq e dashamirës të cilët vazhdojnë ta kujtojnë.

Inisiativa e Valmir Kurtit është përkrahur edhe nga kolegët e tij Ardit Mani dhe Fatjon Hasaj dhe sëbashku kanë organizuar këtë kupë.

Madje, ka patur mysafirë edhe nga Kosova. Në këtë kupë kanë marrë pjesë nga katër ekipe të grupmoshave U-11 dhe U-13 dhe pikërisht “The Door”, “Scutari”, “Shpresa” dhe “T-United” e Gjakovës.

Organizatori Kurti duke folur në lidhje me kupën e sotme, është shprehur: “Ideja ime ishte për të kujtuar mikun tim, gazetarin Mejdan Zhivani dhe për koinçidencë, kjo kupë përkoi edhe me ditëlindjen e tij.

Nëse familja e tij është dakord, ideja është që këtë kupë ta kthejmë në të përvitshme sepse është bukur të nderojmë të tilla figura.

Përpos kësaj, është bukur që edhe fëmijët të luajnë dhe të krijojnë miqësi me njëri- tjetrin”.

Ndërkohë trajneri i ekipit Shpresa Ardit Mani, ka shtuar: “E mirëprita një ide të tillë për të nderuar një gazetar si Mejdan Zhivani.

Kupa të tilla ia vlejnë aq më tepër në periudha të tilla kur kanë mbaruar edhe kampionatet dhe ndihmojnë për ruajtjen e formës dhe rritjen e afrimitetit në mes fëmijëve”.

Edhe trajneri kosovar Naser Jasiqi i ekipit “T-United” të Gjakovës ëshprehur i lumtur për këtë organizim dhe pjesmarrje në këtë aktivitet në Shkodër.

Sa i takon ndeshjeve të luajtura, ato janë shoqëruar me rivalitet dhe fitues për grupmoshën U-13 është shpallur ekipi “Scutari” ndërsa për atë U-11 fitues është shpallur “T-United” i Gjakovës.

Ne ceremonine e zhvilluar ne fund, kane marre pjese edhe dy nipat e Mejdanit, pikerisht Klodi dhe Maringleni i cili kane filluar dhe kane deshire te vazhdojne rrugen e xhaxhait te tyre ne gazetari.

Mejdan Zhivani në këtë mënyrë sot ka qenë sërish mes nesh. Pikërisht në përvjetorin e lindjes së tij. Dhe besoj se do të jetë përgjithmonë.
Gjergj KOLA