Ditmar Bicaj ishte një nga emrat e rëndësishëm të cilët iu larguan Flamurtarit në fundin e sezonit që lamë pas. Pavarësisht se më parë është konsideruar si një nga futbollistët më të rëndësishëm te vlonjatët, aventura te Flamurtari nuk ka zgjatur më tepër.

Në një intervistë për “Supersport”, Bicaj është shprehur mbi të ardhmen, duke treguar ofertën që ka nga Azerbajxhani, por edhe dëshirën për t’u rikthyer te Skënderbeu.

Mbrojtësi ka edhe një krahasim të veçantë kur flet për interesimin mbi futbollistët në merkato, duke thënë se ata janë si puna e makinave, ku gjithsecili ka markën e tij të preferuar.

“Ne futbollistët jemi si puna e makinave, dikush pëlqen një markë e dikush një tjetër. Nuk kam pasur një kërkesë konkrete për rinovimin e kontratës me Flamurtarin, megjithëse në një takim që kisha me presidentin Idrizi, ai më ka thënë se dera e Flamurtarit për mua do të jetë gjithmonë e hapur.

Megjithatë unë e shikoja veten të tepërt dhe do të shoh një mundësi tjetër. Për momentin është menaxheri që po merret me të ardhmen time.

Por për të qenë i sinqertë, kam vetëm një ofertë konkrete që vjen nga Azerbajxhani, saktësisht nga Sabaili. Gjithashtu kam edhe kontakte me një klub në Shqipëri, por për momentin nuk mund ta them emrin.

Populli thotë se “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”. Pavarësisht probleme që ka Skënderbeu, unë dua ta ndihmoj atë. Jam ndierë gjithmonë i vlerësuar atje dhe është edhe një detyrim moral i imi. Futbollistët nuk duhet të shohin vetëm anën ekonomike”, ka thënë Ditmar Bicaj. /vipsport/