Boksi shkodran prej 27 vitesh po dominon në ringun shqiptar. Ka fituar 22 tituj e po kaq Kupa të Shqipërisë ndërkohë që nuk mungojnë edhe trofe të tjerë të shumtë si dhe me dhjetëra medalje në arenën ndërkombëtare. Një nga sportistët që ka shkruar emrin e tij në këto suksese është padyshim edhe Sokol Buliqi, tetë herë kampion i vendit dhe 3 herë fitues i Kupës së Shqipërisë.

Në vitet ’90-2000 ka dominuar në peshat 81 dhe 91 kg duke qenë një nga sportistët elitarë të këtij sporti.
Ka lindur në Shkodër në vitin 1973 dhe me sportin e boksit do të lidhej menjëherë pas rihapjes së tij në vendin tonë, pikërisht në vitin 1991.

Trajnerë të parë ka patur Gjovalin Çunin dhe Mark Pishkashin duke marrë pjesë në të parën veprimtari promovuese që u pat zhvilluar atë vit në Korçë, del kampion me të rinjtë dhe më pas edhe me të rriturit një vit më pas e për të vazhduar kështu me rradhë deri në fund të karrierës së tij.

Ndër veçoritë e tij kryesore kanë qenë përgatitja e lartë fizike dhe gjakftohtësia që tregonte në ring. E majta e tij e fortë ka qenë një tjetër element i rëndësishëm me të cilën i fitonte shpeshherë ndeshjet në ring, madje edhe me tërheqje të kundërshtarit. Ka fituar tetë tituj kampion në vitet 1992, 1994, 1996, 1999, 2000, 2001, 2002 dhe 2003. Në vitet e fundit të karrierës së tij ka jetuar në Tiranë dhe megjithatë gjithnjë ka përfaqësuar Vllazninë.

“Edhe 100 vjet ma vonë, nëse do të më kërkonin të zgjidhja, të tana herët do të thosha vetëm Vllazninë”- ka qenë një shprehje që ai përdorte shpesh. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare dhe ka qenë i suksesshëm. Mban edhe një rekord në historinë e boksit shqiptar: Ka fituar ndeshjen për vetëm 9 sekonda me KO.

Sokol Buliqi
1992 Sokol Buliqi kampion në peshën 81 kg
1994 Sokol Buliqi kampion në peshën 81 kg
1996 Sokol Buliqi kampion në peshën 81 KG
1999 Sokol Buliqi kampion në peshën 91 kg
2000 Sokol Buliqi kampion në peshën 91 KG
2001 Sokol Buliqi kampion në peshën 91 kg
2002 Sokol Buliqi kampion në peshën 91 kg
2003 Sokol Buliqi kampion në peshën 91 kg

Gjergj KOLA